Transmetuar më 05-12-2017, 10:55

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka marrë pjesë në konferencën "Politikat në mjediset e punës". Ministri u shpreh se zhvillimet pozitive dhe rritja ekonomike nuk janë thjesht statistika, por reale. Sipas ministrit në 4 vite janë hapur 260 mijë vende pune, ndërsa në zyrat e punës janë 36 mijë vende të lira pune, por duhet kualifikimi i duhur.

"Zhvillimet pozitive ekonomike nuk janë thjesht statistika, por reale. Raportet janë reale dhe nuk janë numra. Katër vitet e fundit shifrat e punësimit janë inkurajuese. 260 mijë vende pune në 4 vite. Rritja e punësimit është rritur me 61%. Vendet e punës janë të reja dhe të formalizuara. Janë 36 mijë vende të lira pune për 10 mujorin e vitit 2017. Sipërmarrja kërkon kualifikimin e duhur", u shpreh Ahmetaj.

Më tej Ahmetaj dha detaje për aksionin e qeverisë ndaj biznesit të madh që nuk deklaron pagat reale të punonjësve. Sipas Ahmetajt, në fillim do ketë një takim me biznesin e madh dhe do jetë një thirrje korrektive jo represive.

“Nga një skanim që kemi bërë me kryeministrin Edi Rama i zyrës së tatimpaguesve kemi gjetje sa qesharake dhe tragjike, biznese të mëdha që janë kampionë të ekonomisë kanë 42 % të punësuarve nën 300 mijë lekë, kompani të mëdha që deklarojnë ekonomistin me 270 mijë lekë në muaj, inxhinierin po ashtu, kjo është e papranueshme këto dosje janë skanuar. 

Së shpejti me kryeministrin do kemi një takim me biznesin e madh që të kemi një qasje korrektive që biznesi i madh të korrektojë veten dhe të nxjerri në dritë në bilancet e pastra të drejtën e një të punësuari për të pasur dinjitet në pagesën dhe deklarimin e kontributeve dhe detyrimeve. Kjo gjë në 2018 nuk mund të vazhdojë më do jetë një thirrje korrektive jo represive, pastaj ligji e përcakton…”, tha Ahmetaj i cili nënvizoi se vitin tjetër rritja ekonomike do të jetë 4.2%. /b.l/noa.al/