Transmetuar më 07-12-2017, 10:25

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat kundër informalitetit paraditen e sotme, u ndal gjatë te biznesi i madh. Ai tha se kompanitë bëjnë bilance të dyfishta, por shtoi se do të njihet vetëm bilanci që do të bëhet në banka.

Ahmetaj deklaroi se bilancet fiktive janë ndër fenomenet kryesore që shmangin detyrimet tatimore dhe se do të njihet vetëm një bilanc si në banka dhe në tatime.

Ai cilësoi si problem deklarimin e pagave tejet të ulëta që nuk respektojnë realitetin në raport me pagat në tregun e punës.

Ministri bëri thirrje për reflektim nga sistemi bankar por edhe nga sipërmarrja.

“Kompanive do u njihet vetëm një bilanc dhe jo dytë. Do vendosim një normë të re mes bankave dhe kompanive. Bilancet fiktive janë një nga fenomenet që jo vetëm shmangin tatimet, por reflektojnë edhe pasoja të tjera, deklarimi i pagave tejet të ulëta që nuk reflektojnë realitetin duke sjellë deformime të shumëfishta”, u shpreh Ahmetaj.

Po ashtu ai bëri me dije se niveli i kredive me probleme, është 10% më i ulët në raport me vitin 2013.

Nga ana e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u ndal te kreditë e këqija, duke bërë me dije se që nga muaji janar, kredia do bazohet vetëm tek deklaratat tatimore.

“Aktiviteti informal dëmton financat publike, rrit barrën e taksave, dëmton konkurrencën, redukton burimet e financimet dhe frenon zhvillimet, por edhe sigurimet shëndetësore. Mungesa e transparencës financiare kanë rritur kreditë me probleme. Informaliteti ka dëmtuar edhe vetë kredimarrësin”, u shpreh ai. /a.y/noa.al