Transmetuar më 08-12-2017, 14:27

Kërcënim me jetë me një mesazh të frikshëm, një granatë gati për shpërthim, e vendosur në oxhakun e shtëpisë.

Ngjarja e rëndë është shënuar ditën e djeshme, e enjte, në një fshat të Cërrikut.

48-vjeçari B.L., banues në fshatin Liçaj, nga Shalësi i Cërrikut, kur ka shkuar në shtëpi, mbi pjesën e oxhakut ka gjetur një granatë dore difensive të aktivizuar, me ndezës të montuar në trupin e saj, dhe pranë saj një letër kërcënuese.

“Nuk ke për t’ia hedhur, do ta paguash”, mësohet të ketë qenë mesazhi i shkruar në letër, shkruan Noa.al. B.L., kishte qenë duke u marrë me punët e fshatit dhe gjatë pasdites kur është kthyer në shtëpi, ka gjetur granatën dhe letrën kërcënuese.

I frikësuar nga skena me të cilën u përball, ai shkoi në komisariatin e policisë së Cërrikut për të bërë denoncim.

48-vjeçari tha para uniformave se nuk ka konflikt me njeri, duke mbetur i shokuar nga kërcënimi i marrë.

Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua letra dhe granata.

Policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. /a.y/noa.al