Transmetuar më 14-12-2017, 08:23

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të enjteje me një lajm të mirë, lidhur me të ardhurat që ka siguruar vendi në nëntë muajt e parë të vitit, në sajë të vizitorëve të huaj.

Nëpërmjet një postimi të bërë në Facebook ai thotë se gjatë vitit 2017 të ardhurat nga vizitorët e huaj janë rritur me 149 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas.

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se të ardhurat nga vizitorët e huaj që kanë ardhur në Shqipëri për 9 muajt e parë të vitit 2017 janë rritur me 149 milionë euro apo me 12.8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 dhe me 550 milionë euro apo me 72.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Por ky postim i tij nuk i ka lënë indiferent komentuesit, të cilët nuk kanë kursyer kritikat.

“Rriti pagat se jemi të fundit në Europë e rajon, dhe lëri mburrjet kaq kapëm ketu e kaq fituam atje. Të gjitha këto fitime tregohen në rritje pagash e jo në statuse Fb”, shkruan një qytetar.

Një tjetër shton, “Epo u arsyetokan makinat luksoze për drejtorët. Qenka arka e shtetit plot”. /a.y/noa.al