Transmetuar më 17-12-2017, 18:06

Ka zgjatur pak javë eksperienca e Sulejman Starovës në stolin e Partizanit. Pas humbjes së thellë me Luftëtarin, tekniku ka deklaruar dorëheqjen e tij nga drejtimi i të kuqve.

Sipas Vipsport.al, trajneri u ka komunikuar vendimin e tij si drejtuesve të Partizanit, ashtu edhe lojtarëve, duke mos preferuar që të vazhdonte në drejtimin e skuadrës e cila nuk iu përgjigj sot në fushën e lojës duke regjistruar një nga humbjet më të thella të historisë së saj.

Tekniku, i cili në sezonet e fundit ka qenë vazhdimisht në stolin e të kuqve, mori drejtimin e skuadrës në fillimin e fazës së dytë, pas largimit të Mark Iulianos nga drejtimi i Partizanit.

Tani pritet të mësohet se kush do të jetë emri i ri në stolin e Partizanit, ku kohët e fundit ka qarkulluar emri i Armando Cungut.