Transmetuar më 27-12-2017, 16:54

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur sot në Prishtinë për të bërë verifikimin e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që kanë dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturën e deputetit Albin Kurti për kryeta, si dhe për të trajtuar çështje të tjera që lidhen me procesin e zgjedhjeve të brendshme.

KZP-ja ka konstatuar se nënshkrimet janë grumbulluar dhe dorëzuar nga deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli në përputhje me rregulloren e zgjedhjeve të brendshme si dhe me autorizimin e lëshuar nga deputeti Albin Kurti për grumbullimin e nënshkrimeve nga këto dy deputete.

Pas verifikimit të nënshkrimeve të dorëzuara të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, KZP-ja konstatoi se është plotësuar kushti i nevojshëm i këtyre nënshkrimeve për zyrtarizimin e kandidaturës së Albin Kurtit sipas Statutit dhe Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme që është në fuqi.

Nga sot, deputeti Albin Kurti është zyrtarisht kandidat për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen në fillim të vitit 2018 sipas parimit një anëtar-një votë.

Afati kohor për të dorëzuar kandidatura të tjera për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje mbaron në datën 10 janar 2018. /a.y/noa.al