Transmetuar më 29-12-2017, 10:10

Nga Anisa Markarian/ Është një mesditë pranverore dimri. E spërndritur nga çdo «papastërti» falë mistralit të natës, pëlhura qiellore ka rigjetur anëpëranë kaltërsinë virgjërore. (Cilido mund të pikturojë tani tablonë e tij.)

Në Portin e Vjetër të Marsejës thithet ajri i njelmët i Mesdheut e përshëndetet në të gjitha gjuhët e botës. Dëgjohen bejte e këngë kurbeti (të moçme e të reja); rrëfehen histori sirenash, peshkatarësh e balenash. (E fundit, 15 metra e gjatë, paskësh ngecur në radë disa javë më parë.) Tarracat e kafeneve janë lozhat më të lakmuara për të soditur valsin e plogët të direkëve nën çirrmat e thekshme të çafkave e pulëbardhave që fluturojnë ultas.

– Keeek-krek-krek-kruakk! … Krraaa-krek-krek-kroakk!! – ushtojnë klithmat që trandin atmosferën. (Ç’sihariq kumtojnë?)

Kur jam në Marsejë, ecja vetmore përgjatë dokeve të portit përbën një ritual të pamungueshëm, pothuajse të shenjtë. Puhia marinare ma rreh fytyrën me spërkla shkumore; nga vetullat e qerpikët më pikojnë kristalet-stalaktite të kripës e të jodit.

Pikëtakim historik i popujve lundërtarë, Porti i Vjetër pret e përcjell fate njerëzish që prej 26 shekujsh. Këtu kanë zbarkuar edhe të mitë; kush fëmi jetim, kush student ëndërrtar. Cipa e ujit përçon rrathë-rrathë, gjer në det të hapur, një dridhtim përdëllimtar. Nuk e di ç’pres më. Kush kishte për të ardhur, ka mbërritur me kohë.

* * *

– Mirupjekshim së shpejti, Marsejë! Do të rikthehem, të jap fjalën e nderit.

Po largohem nxitimthi. Kafenë të gjerbur përgjysmë, programin e vizitave të cungulluar, ankandin e peshkatarëve të pafotografuar. Hatërmbetur, qyteti më grish të qëndroj edhe pak. Aq sa duhet për ta përshkuar kryq e tërthor. Lagje më lagje, rrugicë më rrugicë, shkallinë pas shkalline. Gjer në gotullat më sekrete të bregdetit, stacioni i fundit i bredhërimave të mia turistike. Me keqardhje, ia kthej ftesën mbrapsht. Kam ngut të arrij në shtëpi përpara se të muget. Ditët e dhjetorit janë shumë të shkurtëra. Dritëthyerja ndodh pashmangshmërisht rreth orës katër të pasdites, edhe pse qielli mund të jetë krejtësisht i qëruar.

Kam marrë përsipër përgatitjen e gostive të fundvitit. S’mund të ndodhte ndryshe. Më pëlqejnë përgjegjësitë. Më venë në lëvizje çdo muskul të kurmit e të trurit. Më elektrizojnë fantazinë, më miklojnë sedrën, më sfidojnë aftësitë organizuese. Ndaj, në mënyrë egoiste, kënaqësitë unike të motmotit i mbaj të gjitha për vete: përzgjedhjen e bredhit, hartimin e listës së të ftuarve, zbukurimin e shtëpisë, paketimin e dhuratave, gatimet festive, shtrimin e tryezës llamburitëse… Traditën familjare e respektoj me fanatizëm gjer në hollësitë më të shpërfillshme. (Ndonëse, tashmë, shumë shpirtra të bukur kanë marrë përgjithnjë fluturimin.)

– Nxito të hipësh në makinë! – i them vetes. – Planin e tavolinës e mendon rrugës.

* * *

Autostrada është pothuajse e shkretë. Përpara meje, tri-katër vetura me ngjyra të ndezura llapëtijnë horizontin si fishekzjarrë. I qëndisur me jar nga një fijezim resh të kajmakta, qielli ka një rrëzëllim të pazakontë. Largas, në sfond, çatitë bardhëlore të vargmalit jugor janë të vetmet shenja dalluese të një dimri konvencional. Në të dy anët e xhadesë, gjurmët e pagabueshme të marrisë stinore. Gjelbërsia e pishave mesdhetare, kornizë oksigjenuese e peizazhit, krushkohet me purpurin e harlisur të vidhave e të frashërit. Aty-këtu, ca shpërthime verdhullore, si penela diellorë të një mjeshtri anonim, i japin tablosë një përsosmëri madhështore. Janë kurorat pushverdha të mimozave në mugullim. Natyra gazmon e çliruar nga çdo paragjykim mbi renditjen e stinëve. Gjithçka është bërë paçariz!

Në shtëpinë tonë, Krishtlindja festohet dy herë: më 25 dhjetor e më 6 janar. Mes njërës datë dhe tjetrës, darka e dorëzimit të stafetës dhe dreka e parë e vitit të sapohyrë. Tipari më i spikatur fisnor është mikpritja. Tryeza qëndron shtruar për 2 javë rresht. Ëmbëlton bisedat. Dikush ndalet për të buajtur ca ditë; dikush vjen e ikën në qef të tij.

– Ku shkojnë vitet që plaken? – pata pyetur të mijtë, dikur.

– Ja, ku janë! – më qe përgjigjur ime më duke treguar me gisht brazdat e rrudhave në ballin e saj të lartë. (Për të më kursyer ndonjë zhgënjim në të ardhmen?)

Sidoqoftë, fshehtas të tjerëve, ushqeja shpresën (naive) se një ditë, pa pritur e pa kujtuar, do të ndodhesha ballë përballë kangjellave të kasafortës së kohës. Vendit strategjik ku ruheshin minutat, ditët, javët, muajt… e zbërdhulët. Vitet që na kishin rrjedhur duarsh të shfrenuar. Herë me galop, herë me kollotumba. Si vallë nuk u gjend një ledh, një digë, a një pendë për t’ua përmbajtur hovin e ikjes?! Oh, sa do të më pëlqente t’i ftoja të riktheheshin! Të uleshim këmbëkryq e t’ia merrnim shtruar. Tani që ua dija vlerën, do t’i jetoja shumë më ndërgjegjshëm.

Një lajm i beftë radiofonik, ardhur nga stacioni i trafikut rrugor, më shkëput me pahir nga kujtimet e fëmijërisë.

– Attention! A8, visibilité nulle. (Në frëngjisht: Vini re! Në autostradën A8, dukshmëria është zero.) – njofton zëri elektronik i spikeres.

E përshkuar nga ca fjolla të holla tymi, kthjelltësia e horizontit nuk ia vë veshin paralajmërimit meteorologjik.

– Paskan lajthitur. – mendoj. – Mjegullnaja e hamendësuar s’ka gjasa të ngjizet. – dhe vë buzën në gaz. – Dikujt i qenka shkrepur të shpërndajë në radio një alarm të rremë. Ashtu, kot! Për të na luajtur një rreng. Që të ndezim farët e makinave e të ngadalësojmë shpejtësinë, me ankthin se papritur mund të pllakosë mugëtira…

Puhia e mbarsur me toptha floriri ma mbushullon kabinën me xixa pjalmore. Më lind ideja ta stolis tryezën me një kurorë të thurur me degë borige e bisqe të ardhangëta mimozash. Këtë vit, dhjetori është më mjaltor se kurrë!

– Vendshënuesit do t’i sajoj me boçe pishash të lyera me varak. – flas me veten. – Emrat e të ftuarve do t’i shkruaj me gërma dore në copëza kartoni të prera në formë ylli, zemre, bredhi…

Ndërkaq, retë fije-fije janë bërë kordele. Dielli ka marrë tintingën drejt ultësirave të gjysmërruzullit duke lënë pas krahëve një flakërimë të mekur, ngjyrë manushaqeje. Po ndodh dritëthyerja. Siluetat e makinave i shkëmbej për tullumbace festash që rrokullisin mbi asfalt plëncin e tejfryrë me gaz xixëllimtar. Në pyllin halor, esencat rrëshinore ndërthuren marramendthi me aromë mimozash.

– Babi do të zerë vend në krye të tavolinës; në të djathtë të tij, Moma. – nis të organizoj me mend planin e tryezës. – Përballë saj, daja i madh me të shoqen. Pastaj me rradhë të tjerët: tezet me burrat e tyre dhe daja i vogël me bashkëshorten. … Po mami?! Oh, afër Momës, natyrisht!

Veçse, nga meraku për të kënaqur gjithkënd, jam e bindur që do të mbetet në këmbë. Është e zonja e shtëpisë! Shkon e vjen pa pushim. Kuzhinë – qilar – dhomë pritjeje, sallon – kuzhinë – dhomë buke. Duart ngarkuar me kupëza, frutore e pjatanca.

Është ngritur menatë. Ka ndezur sobën, tëhollur petët, përgatitur yçin… Ka hekurosur sofrabezin e pecetat prej linoje të bardhë; ka nxjerrë nga bufeja gotat me fron dhe servisin e pjatave me bordurë të artë. Ka qepur këllëfë prej pelushi për ndenjëset e kolltukëve; ka lidhur fjongo taftaje në shpinëzat e karrigeve. Ka fërkuar e shndritur lugët, pirunjtë e thikat prej argjendi; ka ndezur shandanët me qirinjtë e spërdredhur. Secilit prej të ftuarve i ka kushtuar një dhuratë të veçantë, të bërë me duart e saj. Oh, mam! Ke gjetur kohën edhe të dredhësh flokët me bigudi, të lyesh thonjtë me manikyr të tejdukshëm, të pudrosësh mollëzat me «Cipria di Rosa», t’u vesh buzëve të kuq mbretëreshash, të krehësh baluket myhyra-myhyra, të veshësh fustanin «seta pura», të mbathësh këpucët lustrafine me taka të larta, të na erëmosh shtëpinë, ngado ku kalon, me parfumin tënd «Violetta di Parma»…

– Tok, tok! – trakullisin në derë.

– Erdhën mysafirët, o ma!

– Gati jam! – dhe vrapon t’i mirëpresësh; i lehtëson nga palltot e kapelet, i fton të zenë vend në dhomën e ndenjjes.

Jeta ka një butësi përrallash…

– Tavolina pa të zonjën e shtëpisë, është si një kopsht pa trëndafila. – shqipëron babi një fjalë të urtë armene.

– Ja, erdha, erdha! – gjegjet mami buzagaz, tek sjell në tryezë ëmbëlsirën e gatuar me aq dashuri: strudelin me petë të trashë përvëluar me sherbet erë kanelle, mbushur me mollë të grira, gliko qershiash, arra të shtypura e rrush të thatë.

– Ne kalamajtë na lini gjithnjë në bisht të tavolinës! – mrrol turinjtë e pakënaqur. – … Eeejjj, një minutë! Lajthite edhe ti! – e qortoj veten. – Harrove që nuk je më fëmijë?! Thirri mendjes! … As adoleshente nuk je më… Harrove që Moma, babi…, mami… Që xhaxhi Tonçi, daja Kopi, xhaxhi Berti… Që Mila e ëmbël, daja Milto, teta Nushi…

O Zot, sa shumë vende bosh!

Befas, tymnaja ballë meje ajkëtohet. (Apo janë lotët që ma mjegullojnë shikimin?) I hedh një sy qiellit. Është bërë rrafsh me detin. I shëmbëllen një shporte të stërmadhe, punuar me gërsheta resh. Re flokëdallgëzuara që flirtojnë me ujërat. Herë kaltërohen, herë shkumojnë të thinjura.

Po udhëtoj pa pararojën. Makinat-tullumbace kanë fluturuar larg. Nuk i shquaj më. Tabelat blu të autostradës nuk komunikojnë asnjë informacion, si t’u ishin djegur diodat nga ndonjë qark i shkurtër. Atmosferën e trys një kambanë e kristaltë, zbritur parthi nga një galaktikë e panjohur. Në kulmare ka një dritarez vezake nga ku fryn një puhizë përmalluese. Një duzinë ëngjëjsh varen shilarthi nga kindat e yjeve.

Oh, ç’qetësi! Lënda ka ngrirë pezull, koha ka reshtur rrjedhjen…

Lëviz vetëm makina ime. Rrëshqet mbi një shtëllungë të avullt. Shenjat e qarkullimit kanë fluruar; emrat e daljeve nuk lexohen. Ç’më duhen?! Nuk kam më ngut.

Një vështrim kalimthi pasqyrës së brendshme, si një përshëndetje e fundit pulëbardhave kumtare që më kanë ardhur pas.

– Kthehuni në Portin e Vjetër, mos kini dert për mua. Ndjeshmëria më është bërë lëkurë e dytë tashmë…

Mushkëritë m’i flladit puhia lozonjare që pështjell gjithçka. I jep natyrës forma të lëmuara. Ajri nuk përmban vetëm esencën e mimozave të Provencës. Ka brenda edhe parfum jargavanësh, karafilash, zymbylash e dorëzonjash të oborrit të Momës, mirësuar me aromën e myshkut, vaniljes, jaseminit, luleve të portokallit e të idërshahut të shtëpisë sime dhe, për nishan, një pulqer vjollcash të Parmës.

* * *

Kam hyrë në zemër të mjegullnajës së paralajmëruar. Një vel tymak oja-oja, si fustanellkë e tyltë balerinash, më përfshin në një piruetë lazdrake. Dukshmëria është pothuajse zero. S’kam kurrfarë nxitimi e asnjëlloj gajle. Gostitë mund të presin. Tej përpara, si një vegim, më shfaqen ca kangjella të argjendta…