Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku ka nisur zyrtarisht detyrën, ku ditën e sotme ka marrë dy vendime të rëndësishme.
Ajo firmosi vendimin për caktimin e prokurorit Dritan Rreshka në pozicionin e përkohshëm të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndërkohë, drejtuesi i deritanishëm i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, do të vijojë komandimin si prokuror sektori, i ngarkuar për çështje të veçanta, pranë Prokurorisë së kryeqytetit.
Pak ditë më parë, kryeprokurorja Marku, ka komanduar në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit, zonjën Alketa Zifla, e cila ushtronte funksionet e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Më herët gjatë ditës së sotme, ajo vendosi që duke filluar nga dita e premte, 29 dhjetor, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, në përbërje të së cilës është edhe Sektori për “Verifikimin e integritetit të zyrtarëve.
Këtë detyrë të marrë nga Koça, deri më tani e mbante prokurorja Rovena Gashi.
Sakaq Gashi u caktua prokurore pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. /a.y/noa.al