Transmetuar më 30-12-2017, 22:04

Nuk ka ndodhur asnjëherë që punonjësit e një institucioni publik, të ndiqen penalisht nga organi i akuzës.Por ja që ndodh në Gjirokastër. Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror në Gjirokastër, është institucioni i parë që shënon rekordin për penalizmin e të gjithë stafit punonjës.

Burime nga Prokuroria e Gjirokastrës konfirmojnë se inspektorët e këtij institucioni ndiqen penalisht dhe mbi ta rëndon akuza “Shpërdorim Detyre”. Akuza është ngritur pas denoncimeve të depozituara në Prokurorinë e Gjirokastrës për abuzimet që kanë kryer punonjësit e këtij inspektoriati me detyrën, shkruan Shqiptarja.com

Dhjetëra biznese kryesisht lokale, kanë depozituar në Prokurorinë e Gjirokastrës akuza konkrete me video e audio që vërtetojnë aktivitetin e inspektorëve në terren i cili ka qenë komprometues dhe në kundërshtim të plotë me ligjin.

Në krye të listës së punonjësve që po ndiqen penalisht është ish-drejtoresha i ISHSH e shkarkuar ditë më parë, Mirela Cabelli, si dhe ajo e komanduar rishtazi, Ina Cani.

 Ditën e djeshme dhe sot, të gjithë inspektorët janë marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe ndaj tyre është hapur proces penal. Mjaft prej tyre kanë qenë të shoqëruar me mbrojtës ligjorë. Në janar priten zhvillime të reja për ecurinë e mëtejshme të hetimeve nga inspektorë të ISHSH. (e.c/noa.al)