Transmetuar më 02-01-2018, 09:27

Gjashtë shtetas nga Shqipëria janë ndaluar nga policia italiane, në provincën e Kozencës.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku shqiptarët akuzohen për sekuestrim të personit, zhvatjes dhe dhunës.

Mësohet se ata ishin kthyer në një tmerr të vërtetë për sipërmarrësit dhe punëtorët e një shoqërie fruta-perime, në qytezën Roça Imperiale, në provincën e Kozencës.

Gjithçka u vërtetua nga pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, ku ka dalë në dritë se 6 shtetasit shqiptarë, kërcënonin pronarët e shoqërisë ku punonin duke i detyruar të punësonin persona të rekomanduar nga ata, si dhe të orientoheshin në zgjedhje sipërmarrëse sipas urdhërave të tyre.

Ata ushtronin në mënyrë sistematike dhunë psikologjike e fizike, jo vetëm ndaj pronarëve por dhe ndaj punonjësve të tjerë të shoqërisë.

Madje kishin sekuestruar për disa orë dhe një shofer autotransporti për të ndaluar zhvillimin e aktivitetit të tij të punës.

Hetimet e këtij operaconi kanë nisur pas denoncimit të bërë nga disa punonjës si dhe nga provarët e shoqërisë së fruta-perimeve. /k.k/noa.al/