Transmetuar më 03-01-2018, 12:36

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon sot mbledhjen, ku do të vendosë për mandatin e deputetëve Gledion Rehovica i LSI dhe Aqif Rakipi i PDIU, për të cilët Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndërprerje mandati, për shkak se pretendohet se nuk kanë deklaruar ndalimet që u janë bërë në Itali.

Anëtari i LSI në KQZ, Gëzim Veleshnja, deklaroi gjatë mbledhjes se vendimi i Prokurorisë ka shumë probleme ndaj kërkoi që materialin që bën fjalë për deputetin Rehovica ti kthehet Prokurorisë.

“Prokuroria duhet të na sqarojë çfarë kuptojmë me termin raportim policor, a ka në shtetin italian një procedim të filluar, të dërguar në gjyq, filluar e pushuar që të ketë për bazë raportimin policor të vitit 1999? Vendimi i akuzës ka një llogjikë jo të saktë, që degradon sa shkon e më shumë. Kërkoj të na sqarojë përfaqësuesi i akuzës për atë që thuhet se të dhënat e përcjella nga autoitetet e drejtësisë italiane, është e nevojshme të di unë kush janë autoritetet dhe çfarë informacionesh kanë sjellë? Kërkoj të na tregojë cila është baza ligjore e cila e ka orientuar atë në vendimin e arritur për ndërprerjen e mandatit të deputetit”, u shpreh ai.

I pranishëm në mbledhje është edhe vetë deputeti Rehovica, i përfaqësuar nga avokati Ardian Visha.

Avokati Visha tha se nuk ka asnjë hetim apo masë ndaj Rehovicës, duke shprehur vërejtje për kërkesën e Prokurorisë.

Avokati shtoi se nuk ka fillim të çështjes penale ndaj klientit të tij, “Nuk ka fshehur asgjë, nuk ka pasur interes të fshihte asgjë, pasi vepra për të cilën akuzohet nuk e pengon në ushtrimin e detyrës së deputetit”.

Sakaq deputeti i PDIU Aqif Rakipi mungon, duke u përfaqësuar nga avokati Theodhori Sollaku. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar në ditët e fundit të 2017 ndërprerjen e mandatit për deputetin e PDIU-së dhe atë të LSI-së, të cilët sipas organit të akuzës rezultojnë se janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Sipas vendimit të prokurorisë, të dy deputetëve ju janë marrë shenjat e gishtave në shkurt dhe i janë dhënë Interpolit. Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna për dy deputetët.

Për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, Interpol Roma thotë se është proceduar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.

Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është proceduar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.  /a.y/noa.al

Dalin dokumentet e Prokurorisë, emrat e ndryshuar dhe krimet që kanë kryer deputetët Rakipi e Rahovica

Dekriminalizimi, Prokuroria kërkon heqjen e mandatit për deputetët Rakipi dhe Rehovica