Transmetuar më 16-01-2018, 10:53

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç në Kosovë. Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj thotë se dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.

Qeveria e Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Qeveria e Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Ivanoviç sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.

“Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Ivanoviç, i cili njihej si lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) në Kosovë, u qëllua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ai u qëllua me së paku tre plumba teksa po hynte në zyrën e tij në Mitrovicë, ndërsa ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra. Kujtojmë se Ivanoviç është gjykuar për disa krime në veri të Mitrovicës. /a.y/noa.al

Vrasja e politikanit serb në Kosovë, gjendet një makinë e djegur

Ekzekutohet me armë zjarri politikani serb në Kosovë