Transmetuar më 24-01-2018, 21:03

Takimi në Davos, i dy kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, përfundoi me rezultate konkrete, teksa Zoran Zaev ka deklaruar se do të ndryshojë emrin e aeroportit të Shkupit, dhe të autostradës.

“Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se qeveria do të ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë”, deklaroi Zoran Zaev.

Ndërkohë, Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tzipras, tha se ka ardhur koha që mes vendeve të gjenden zgjidhje konkrete për të gjitha çështjet.

“Duhet doemos të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, me qëllim që të realizohet ajo që kërkon fqinji jonë, asocim në BE dhe anëtarësim në NATO.

Prandaj, duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkët të pranueshme”, u shoreh kreu i qeverisë greke.

Dy kryeministrat konsiderojnë se ka ardhur koha të hapet një kapitull i ri në marrëdhënies, jo vetëm mes Greqisë dhe Maqedonisë, dhe në fokus të jetë axhenda e miqësisë dhe bashkëpunimit, duke u dhënë fund tensioneve dhe nacionalizmave që e rëndonin rajonin në të kaluarën. 

Maqedonia dhe Greqia, janë në një proces dialogu për zgjidhjen e çështjes së emrit. /k.k/noa.al/