Transmetuar më 13-02-2018, 08:25

Prej afro një jave artistët janë hedhur në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, duke u përplasur ashpër me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Deri më tani, përplasjet më të ashpra kanë qenë mes aktorit të mirënjohur shqiptar Robert Ndrenika dhe ministres Kumbaro.

Por për herë të parë pas ngacmimeve nga komentuesit, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama.

“E dëgjove Robert Ndrenikën Edo? Po Bujar Asqeriun? Folën nga plasja e shpirtit. Kështu jemi pothuaj të gjithë, edhe pse të japim votën që të mos fitojë më ai Qoftëlargu!”, shkruan një qytetar.

Nga ana e tij Rama thotë se nuk i ka dëgjuar dhe nuk e di se çfarë kanë, por shton se debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, sipas tij është i stërlodhur, i vjetër dhe pa kuptim.

Kryeministri shprehet i vendosur se Teatri i ri Kombëtar do të bëhet, duan apo s’duan.

“Jo Andi nuk i kam dëgjuar dhe nuk e di çfarë plasje kanë, po di që debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të Teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bërë qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e Ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan”, shkruan Rama në Facebook.

Prej disa ditësh aktorë dhe regjisorë i janë kthyer kundër ministres Kumbaro, pas idesë se Teatri Kombëtar do zhvendoset te salla “Turbina” dhe së në truallin e tij mund të ndërtohet një teatër i ri.

Jo vetëm kaq por artistët janë rebeluar edhe lidhur me një projektligj të Ministrisë së Kulturës që ka të bëjë me artin, pasi shprehen se centralizon vendimet në dorë të qeverisë.

I ashpër ishte reagimi i pak ditëve më parë i aktorit Robert Ndrenika, i cili deklaroi se shumë vite më parë, edhe Partia e Punës thoshte që do bënte një teatër, i cili nuk u bë.

Ai tha edhe në këto 27 vjet, është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka pasur pikë transparence, duke nënvizuar se teatri bëhet një herë në 500 vjet.

“Atë “Turbinën” e pashë me miq, ajo është qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, në fund, prandaj ajo fjala që i thashë ministreshës, që do shtrihem para teatrit dhe që më ironizoi duke më thënë të vijë të shtrihet, të interpretojë tek “Turbina”, paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër, pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të”, tha aktori.

Por nëpërmjet një letre të hapur, ministrja Kumbaro i është përgjigjur aktorit Ndrenika, ku thotë se Teatri Kombëtar u la pa investim, pa rehabilitim për dekada, derisa degradimi i tij mbërriti në kufijtë e skajshëm saqë është i parikuperueshëm.

Duke iu drejtuar artistëve, Kumbaro shprehet se mendon njëlloj si ata dhe se të gjithë bashkë, kanë nevojë më shumë se kurrë për një skenë të re, për kushte të reja dhe të shëndetshme për aktorët.

Më konkretisht Kumbaro thotë se “Unë mendoj, gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert”. /a.y/noa.al

Bingo në Teatrin Kombëtar, ministrja Kumbaro “ia fut” pa dashje Edi Ramës

Tenori i njohur reagon për protestën e artistëve: Heshtët kur më fyen mua, por jam me ju

Basha në mbrojtje të artistëve për Teatrin Kombëtar, paralajmëron Ramën: Tërhiqu

Ministrja Kumbaro i përgjigjet aktorit Ndrenika: I dashur Robert…

Artistët paralajmërojnë grevë për Teatrin, Ndrenika: Kumbaro ministreshë. Reagon ministrja