Transmetuar më 13-02-2018, 12:44

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj priti sot në një takim zv.drejtorin Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Ministri Ahmetaj vlerësoi bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar në kuadër të programit tre vjeçar me qeverinë shqiptare, ndërsa tha se viti 2017 u mbyll me një performancë shumë të mirë fiskale, deficcit total -2% e GDP dhe balancë primare pozitive, për të tretin vit radhazi.

“Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash të thella strukturore. Reforma në energji mundësoi reduktimin e humbjeve në rrjet. Reforma e pensioneve stabilizoi skemën, ndërsa në dekadën e ardhshme do të tregojë përmirësime të mëdha. Reforma në menaxhimin e financave vendore, ishte një reformë e thellë dhe e suksesshme, që solli kontroll më të mirë si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Miratimi i Rregullit Fiskal brenda Ligjit të ri Organik të Buxhetit, vendosi një standard të ri në menaxhimin e financave publike, duke detyruar çdo qeveri që të ulë në vazhdimësi borxhin publik, por edhe duke garantuar masa rezervë ndaj risqeve potencialë”, u shpreh ministri.

Në aspektin ekonomik, Ahmetaj deklaroi se rritja ekonomike është thuajse katër herë më e madhe se në vitin 2013, ndërsa nëntë mujori 2017 u mbyll me rritje 3.9%.

Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur, ndërsa papunësia ka rënë sipas tij, në linjë me synimin e qeverisë për të kapur nivele një-shifrore deri në fund të mandatit të dytë.

Ministri shtoi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në vazhdimin e konsolidimit fiskal, uljen e borxhit publik dhe avancimin e reformave strukturore në ekonomi.

Nga ana e tij Zhang, deklaroi se programi me qeverinë shqiptare, është një program i suksesshëm në vlerësimin e FMN.

“Unë dua të përcjell sot edhe vlerësimin e drejtuesve të lartë të Bordit të FMN për programin me Shqipërinë. Jemi të kënaqur që programi u mbyll me sukses dhe gjej rastin të lëvdoj qeverinë shqiptare për përmbushjen e objektivave kryesore të këtij programi. Ky është një moment shumë i mire për ekonominë shqiptare, krahasuar me tre vite më parë”, tha Zhang.

Ai shtoi se FMN është e gatshme të mbështesë në vazhdimësi, edhe përmes asistencës teknike si dhe për minimizimin e risqeve potenciale.

“Ne mbështesim vendet tona anëtare që të kuptojnë kapacitetet e tyre reale dhe të rriten në mënyrë të balancuar, në përputhje me këto kapacitete”, tha zv.drejtori Ekzekutiv i FMN.

Lidhur me projektet e Partneritetit Publik Privat, Ahmetaj tha se qeveria shqiptare është e vetëdijshme për hapësirat fiskale dhe projektet e PPP janë parashikuar në planin buxhetor afatmesëm.

Qëllimi kryesor sipas tij, është përmirësimi i infrastrukturës dhe konektivitetit, duke angazhuar kapital privat.

Zhang nga ana e tij deklaroi se kapacitetet implementuese janë shumë të rëndësishme për PPP dhe FMN është e gatshme të punojë me qeverinë shqiptare, në mbështetje të angazhimit të sektorit privat dhe kontrollin e risqeve potenciale. /a.y/noa.al