Transmetuar më 14-02-2018, 14:49

“Këtë vit mos këput asgjë për dashurinë, më mirë hidh rrënjët dhe shih të rritet ndër vite…” Nën këtë moto dhjetëra çifte të reja në kryeqytet iu bashkuan në Ditën e të Dashuruarve nismës së Bashkisë së Tiranës duke mbjellë 200 pemë të reja, si simbol i dashurisë së tyre, por edhe duke i dhuruar njëkohësisht qytetit më shumë oksigjen.

Mes çifteve që zgjodhën të përjetësojnë dashurinë e tyre në 14 Shkurt ishin edhe emrat e njohur të skenës dhe të ekranit, si këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, Fotinia dhe Danieli, Venera Lumani dhe Lindi Islami, Ermira Causholli dhe bashkëshorti i saj Arditi, të cilët së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, mbollën nga një pemë tek Kopështi i të Dashuruarve në Farkë.

“Jam shumë i lumtur sot që, në këtë ditë fantastike, na u bashkuan disa nga të dashuruarit më simpatikë dhe më të mirë të qytetit. Ndaj jam i kënaqur që miqtë e mi më të mirë, Albani e Miriami mbollën një pemë jo vetëm për dashurinë, por edhe për vajzën e tyre, një engjëll i qytetit tonë. Unë besoj se kush është artist i mirë është edhe qytetar i mirë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se duke treguar dashurinë me një dhuratë si mbjellja e një peme, e cila do të rritet, qytetarët kanë mundësi që t’i lënë gjeneratës tjetër më shumë gjelbërim dhe më shumë oksigjen, teksa shtoi se Parku i Farkës po merr një pamje krejt tjetër nga ajo e dy viteve më parë, kur ishte një shkretëtirë e mbushur me inerte.

Këngëtari Alban Skënderaj përgëzoi Bashkinë e Tiranës për nismën e dobishme për qytetin dhe të ardhmen e tij. “Në ditën e Shën Valentinit, ku simbolikisht promovohet dashuria, dua të them se dashuria për natyrën është jashtëzakonisht primare, sepse është burim i jetës, është gjithçka për ne. 

Kjo është një mënyrë e vogël për t’u treguar të përgjegjshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse ajo që jemi dhe bëjmë sot, është pjesë e asaj që do vijë në të ardhmen. Simbolikisht, kjo ka një domethënie shumë të madhe, ndaj e falenderoj Erionin dhe stafin e tij, që duket që përtej profesionit i bën me zemër dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për një projekt kaq të madh”, tha Skënderaj.

Miriam Cani theksoi se në një ditë simbolike si kjo e sotmja është shumë bukur të tregosh dashurinë jo vetëm ndaj partnerit, por edhe ndaj natyrës e vendit. “Në rastin tonë ky është një investim i vogël. Duke qenë se jemi prindër e ndiejmë edhe më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e nismës”, u shpreh ajo. /b.l/noa.al/