Transmetuar më 14-02-2018, 15:06

Kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar përshpejtim të hetimeve për të gjitha çështjet që janë në ngarkim në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Gjatë analizës së punës në këtë institucin, kreu i organit të akuzës tha se përshpejtimi i hetimeve nuk duhet të ndikojë në cilësinë e tyre.

“Për vetë specifikën e veprave penale që janë objekt i ndekjes penale nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku shpesh ndërthuren organizatat apo grupet kriminale transnacionalë, kërkohen energji të reja për të ngritur më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me agjencitë e zbatimit të ligjit brenda vendit dhe veçanërisht me partnerët ndërkombëtarë.

Prokuroria e Përgjithshme nxit dhe mbështet përshpejtimin e hetimeve të të gjitha çështjeve nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo, pa e cenuar aspak cilësinë e hetimeve, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike që kanë çështjet që hetohen prej jush. Prandaj, kërkohet kjo shpejtësi në plotësimin dhe standardizimin e protokolleve hetimorë”, tha Marku.

Kryeprokurorja e Përkohshme u kujtoi prokurorëve të Krimeve të Rënda pavarësinë që u garanton ligji, por sipas saj kjo pavarësi nuk duhet të përkthehet në anarki.

“Pavarësia e prokurorëve mbetet e pacenuar, si një e drejtë e njohur nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Por, kjo nuk do të thotë që të kalohet në anarki, përveçse kërkohet vëmendje dhe përkushtim maksimal në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë si dhe zbatimin rigoroz të rregullave procedurialë dhe rregullave të parashikuar në ligjin për organizimin e prokurorisë”, ishin fjalët e Arta Markut. /k.k/noa.al/