Transmetuar më 06-03-2018, 16:06

Një tragjedi ajrore i ka marrë jetën 32 personave që gjendeshin në bordin e avionit, mes tyre 26 pasagjerë, dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se një avion ushtarak rus është rrëzuar në Siri, dhe asnjë prej personave në bord nuk ka shpëtuar.

 “Rreth orës 15:00 (me orën e Moskës, ora 12:00), një avion rus transporti, An-26 u rrëzua teksa po ulej në bazën ajrore Khmeimim”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ministria ruse.

“Të gjithë ata që ishin në bord humbën jetën”, thuhet më tej në deklaratë. Avioni u përplas me tokën rreth 500 metra larg pistës.

Tragjedia ndodhi në momentin që mjeti fluturues po ulej në bazën ajrore Khmeimim, pranë qytetit bregdetar sirian të Latakisë, raporton agjencia e lajmeve Ria Novosti.

Të dhënat paraprake bëjnë me dije se gjithçka mund të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë defekti në motorr. /k.k/noa.al/