Transmetuar më 07-03-2018, 14:00

Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani vizitoi dje, të martën, Belgjikën, ku u takua dhe zhvilloi bisedime me Kryeministrin Charles Michel në Bruksel.

Sipas Agjencisë së lajmeve të Katarit, kryeministri belg shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë; e cila do të forcojë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve. Nga ana e tij, Emiri i Katarit shprehu falënderimet e tij për pritjen duke theksuar se kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme.

Gjatë takimit, u diskutuan rrugët për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë, sidomos në fushën e energjisë, ekonomisë, investimeve, kulturës, sportit dhe shëndetësisë.

Palët gjithashtu shkëmbyen mendime për zhvillimet në situatën rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht sfidat aktuale në Lindjen e Mesme dhe Europë, e konkretisht fenomenin e terrorizmit dhe format për të luftuar dhe çrrënjosur burimet e financimit të tij.

Ceremonia zyrtare e pritjes u mbajt në rezidencën e Kryeministrit belg në selinë e këtij të fundit në “Palais d’Egmont” me rastin e kësaj vizite zyrtare.

Më pas, Emiri i Katarit dhe Kryeministri belg prezantuan nënshkrimin e dy marrëveshjeve bashkëpunimi midis dy vendeve, e para në fushën e shërbimeve ajrore për lehtësimin e funksionimit të fluturimeve komerciale mes dy vendeve, përfshirë sigurinë e aviacionit dhe dhënien e të drejtave të operatorëve nga të dy vendet, dhe e dyta në fushën arsimit për bashkëpunim mes Universitetit të Katarit dhe Universitetit “Hasselt” në Mbretërinë e Belgjikës. Marrëveshja synon të nxisë bashkëpunimin akademik dhe kërkimor midis dy universiteteve, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe vizita mes studiuesve, studentëve dhe anëtarëve të fakulteteve.

Emiri i Katarit u shoqërua nga një delegacion zyrtar dhe një delegacion biznesmenësh, të cilët pas Belgjikës do të vizitojnë Bullgarinë për të zgjeruar horizontet e biznesit të Katarit dhe krijimin e rrugëve të reja tregtare pas bllokadës së imponuar ndaj tij nga disa vende të Gjirit, veprim ky i vlerësuar së fundmi edhe nga FMN-ja për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

FMN: Ndikimi ekonomik dhe financiar i bllokadës ndaj Katarit po venitet

Në këtë kontekst, theksohet se FMN-ja publikoi të hënën në mbrëmje një raport ku vuri në dukje se ndikimi i drejtpërdrejtë ekonomik dhe financiar ndaj Katarit pas bllokadës diplomatike të imponuar disa vende të tjera arabe është pakësuar, për shkak të masave të Dohas për të mbështetur sektorët e tregtisë dhe të transportit dhe të politikës monetare.

Raporti i FMN i bazuar në konsultimet formale me Katarin, vuri në dukje se sistemi bankar i Katarit është mëkëmbur nga eksodi i fondeve që ndodhi në fillim të “ftohjes” diplomatike.

FMN-ja pret që ekonomia e Katarit të rritet me 2.6 % në 2018, rritje e cila do të mbështesë zbatimin e programeve të investimeve publike dhe kontrollin fiskal.

Në raport thuhet se qeveria e Katarit u përball me një rënie të depozitave të sektorit privat në sektorin bankar me rreth 40 miliard $, por së fundmi depozitat e jorezidentëve filluan të ushqejnë përsëri sektorin.

Raporti zbuloi rezultatet përfundimtare të konsultimeve të nenit IV ndërmjet Fondit dhe Katarit, ku u konkludua se efektet e bllokadës ishin të përkohshme, para se Katari të niste krijimin e rrugëve të reja tregtare.

FMN vuri në dukje se deficiti fiskal ka rënë në rreth 6 % të PBB-së në vitin 2017 krahasuar me 9.2 % në 2016.

Borxhi publik i vendit, i vlerësuar në rreth 54 për qind në fund të vitit të kaluar, mbetet i sigurt sidomos me mundësinë e përdorimit të rezervave SWF (Fondi Sovran i Pasurisë).

Neni IV i Marrëveshjes së themelimit të FMN-së parashikon diskutime dypalëshe me vendet anëtare, zakonisht në baza vjetore.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti vendosën një bllokadë ndaj Katarit më 5 Qershorit 2017, duke shkaktuar ndërprerje të importeve në Doha dhe lëvizjen e tregtisë, gjë që çoi në zhvendosjen e depozitave miliarda dollarëshe nga bankat e Katarit, por këto miliarda u kthyen sërish për shkak të stabilitetit politik, besimit të investitorëve dhe sigurisë në veprimet e qeverisë.

Bllokada dëmtoi GDP e Katarit në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, por Katari si eksportuesi më i madh i gazit të lëngshëm natyror në botë, e tejkaloi situatën e vështirë me krijimin e rrugëve të reja tregtare, pompimin e fondeve qeveritare tek bankat, ndihmën ndaj bizneseve lokale që të sigurojnë prodhim alternativ të disa mallrave sidomos ushqimore, duke u mbështetur në politikën e besimit te vetja, çka siguroi stimuj të mjaftueshëm për investitorët lokalë dhe të huaj dhe për forcoi besimin në monedhën vendase. Rezervat valutore të vendit u rritën me 2.9 miliardë dollarë në Janar duke

shkuar në 37.7 miliardë $, sipas bankës britanike “HSBC” në raportin e nxjerrë nga kjo e fundit të hënën, duke shtuar se gjendja e rezervave valutore është përmirësuar pjesërisht për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm në bilancin tregtar të Katarit.