Transmetuar më 08-03-2018, 13:48

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur ditën e sotme vendimin për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në vendimin e zbardhur bëhet e qartë se procesi i rivlerësimit për ish- Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla është ndërprerë.

Në vendimin e arsyetuar thuhet se vettingu per Llallën u ndërpre pasi ai deklaroi se nuk do të merrte një post në Gjykatën e Apelit, e cila mban dhe firmën e tre anëtarëve të trupës gjykuese, Roland Ilia kryesues si dhe Pamela Qirko dhe Olsi Komici anëtarë.

“Ndërprerja e procesit të rivleresimit për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivleresimit sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative dhe si rrjedhojë ai humbet të drejtën për tu emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit “G” të Aneksit Kushtetues”, thuhet në vendimin e arsyetuar të tre anëtarëve të trupës gjykuese.