Transmetuar më 08-03-2018, 16:25

Prej 12 vjetësh, Alma Matraku ushtron profesionin e marangozes. Por, të qënurit grua me një profesion “bastion” të burrave, ka pasur përparësitë e saj.

“Isha në Greqi. Më lindi ideja që të bëja një zanat ndryshe. Bleva makineritë dhe erdha në Shqipëri. Në fillim ishte e vështirë puna, pastaj pata sukses sepse isha grua, kisha më shumë favore sepse i jepja më shumë rëndësi detajeve të mobilimit”, thotë ajo.

Alma është 36 vjeç dhe ditën e kalon mes familjes dhe zdrukthtarisë. Sa herë kujton vështirësitë e para, gjen forcën për të punuar më shumë.

“Në fillim shkoja në magazina dhe të gjithë habiteshin se si do ta bëja unë këtë punë, si femër që jam. Edhe në shtëpitë e klientëve ishte e vështirë të bindeshin që të më jepnin punën”, shprehet Alma.

Edhe për Donika Verdhon në Divjakë, ky 8 mars është një ditë pune e zakonshme. Së bashku me të shoqin janë zgjuar herët për të punuar në tokat e tyre. Ish-traktoriste në kohën e kooperativave, sot Donika ka ditur t’i përshtatet kohës, duke u bërë një fermere e suksesshme.

“Për të gjitha gratë, bujqësia është shumë e vështirë, por do i pershtatemi kushteve. Unë ndihem e kënaqur që punoj çdo ditë me burrin tim”, thotë Donika.

Edhe këtë 8 Mars, Donika punon në arë deri në perëndim të diellit.

“Burri më ka bërë dhuratë vëthë floriri sot”, tregon gruaja.

Për Donikën, këtë 8 Mars, dhurata nuk është një detyrim rutinë festash, por një dedikim për gruan që të gjithë në familje e shohin si çelësin e suksesit të biznesit. /TCH/