Transmetuar më 08-03-2018, 17:10

Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë organizuar me rastin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruas një aktivitet festiv në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Nr.325, i njohur ndryshe edhe si burgu i grave në kryeqytet. 

Ministrja Gjonaj në fjalën e saj përshëndetëse e ka vënë theksin te nevoja që 8 Marsi të shihet jo vetëm si një ditë feste, por mbi të gjitha si një moment reflektimi për përpjekjet më të shumta që duhen bërë, për më shumë dënime alternative për gratë, për më shumë programe punësimi, për më shumë trajnim profesional dhe edukim.

“Jemi duke punuar për të kompletuar bazën ligjore e më pas për të realizuar në praktikë programe punësimi për të dënuarit, ku ata të kenë mundësinë të paguhen dhe të jenë të siguruar për punën që do të kryejnë”, ka theksuar ministrja e Drejtësisë. 

Sipas saj, gjatë viteve të fundit janë organizuar disa aktivitetet ku janë promovuar punimet artizanale të vajzave dhe grave të privuara nga liria, në panaire te ndryshme.

Por tanimë, ka ardhur koha, që këto përvoja, të kthehen në një sistem të mirëorganizuar, që do t`u japë mundësi, grave dhe vajzave, që nga njëra anë të rrisin përfitimet e tyre financiare dhe nga ana tjetër të jenë më të angazhuara në fitimin e profesioneve që do tu vijnë në ndihmë në jetën e tyre jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Gjatë aktivitetit festiv janë luajtur pjesë teatrale nga trupa e teatrit të Fierit, ndërkohë që ka pasur recitime nga gratë dhe vajzat e burgosura si dhe është organizuar një panair me punime të vetë të dënuarave në IEVP 325./b.l/noa.al/