Transmetuar më 08-03-2018, 21:09

100 gratë e burgosura në burgun e Tiranës e festuan me muzikë latine 8 Marsin dhe vetëm një shetase greke me origjinë gjermane ngre zërin për të drejtat e saj.

51-vjeçarja Aliki Burratzi është dënuar me 10 vjet heqje lirie për trafik armësh. Ajo thotë se 8 vite më parë nën kërcënim nga trafikantët, tentoi të kalonte 4 armë zjarri, pistoleta nga Shqipëria drejt Greqisë.

Top Channel: Që kur jeni këtu?

Aliki Burratzi: Prej 1 viti e 11 muajsh. Unë u arrestova në Itali nga Interpoli.

Top Channel: Sa do të qëndroni në burg?

Aliki Burratzi: Për momenti unë pres ekstradimin në Greqi. Ju lutem më ndihmoni që të shkoj sa më parë në Greqi.

Top Channel: Si është burgu këtu?

Aliki Burratzi: Doni të dini të vërtetën? Katastrofë! Për mua është katastrofë! Ujë të ngrohtë ka vetëm në pak orë të ditës. Nuk ka ngrohje. Është ftohtë. Hamë vetëm dy herë në ditë nga pak ushqim. Gjithmonë i njëjti ushqim.

Në Greqi e pret ndëshkimi për veprën penale të kryer, ndërsa këtu mbahet në pritje të ekstradimit. Megjithëse ishte pak metra larg ministres së Drejtësisë, zonjës Etilda Gjonaj, Alikija nuk arriti dot t’ja thoshte një kërkesë.

“Ju lutem më ndihmoni me Ministrinë shqiptare të Drejtësisë që të kontaktojë me Ministrinë Greke që të mësoj se sa kohë më duhet që të ekstradohem atje”, thotë ajo.

Nënë e një vajze 6-vjeçare që tani rritet nga familja që e ka birësuar në Berlin, Alikia thotë se ka 2 vjet e gjysmë pa e parë të bijën.

Alikia bashkëjetonte me një shtetas shqiptar, nga i cili është ndarë prej kohësh.

“Për shkak të tij ndodhem në burg. Për faj të tij jam këtu”, deklaron ajo.

Lule Marku është nga Lezha. Ka 9 muaj në burg për veprën e pengmarrjes. Ka lënë në mëshirë të fatit dy binjakë 15-vjeçare, me një pagesë prej 35 mijë lekësh të vjetra si ndihmë sociale.

“Për veten time, për mua dhe shumë gra që ndodhemi këtu, sot nuk është ditë gëzimi. Ne që në mëngjes, vetëm rrjedhim lot”, tregon ajo. 

Kur e pyesim për kushtet në burg, Lulja ngurron të flasë, ndërkohë që një gardiane vjen dhe e ndërpret.