Transmetuar më 08-03-2018, 22:01

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave që vijnë nga e majta për lidhje me lobistët rusë me të njëjtën kartë.

Ai është hedhur në kundërsulm teksa ka deklaruar në studion e “Opinion” se kryeministri Rama ka mbajtur takime me një kompani ruse të vendosur në listën e zezë nga SHBA.

Po ashtu, Basha ka shkuar më tej teksa ka kërkuar të bëhen verifikime edhe për lidhjen e dyshimtë sipas tij me kompaninë turke që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës.

Kreu i PD u ndal edhe tek ajo që e quan “lidhja e Ramës me Vuçiç”. 

“Në tetor 2016 ka takuar kompaninë ruse të naftës Gunvor, të Genadi Timcenku, që është në listën e zezë të amerikanëve për shkelje të sanksioneve në Ukrainë. Do ti lidhje me rusët? E ka bërë dhe publike, përveç në mënyrë publik e ka takuar edhe jashtë zyrës, heto pak lidhjet ruse që ka Rama me kompaninë turke që ka caktuar për të ndërtuar aeroportin e Vlorës. Shikoni tenderat që ka kjo kompani nëse doni lidhjet me rusët. Shiko pak lidhjen e Ramës me Vuçiç që blen armë në Rusi. Shiko pak tezat për shkëmbimbet e territoreve”, deklaron basha përballë gazetarit Blendi Fevziu./a.m./noa.al/