Transmetuar më 01-04-2018, 10:11

Largimi nga Kosova i gjashtë shtetasve turq të etiketuar si mbështetës të Fetullah Gylen, nuk është mirëpritur nga të gjithë.

Kundër këtij veprimi ka dalë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Këtë të shtunë teksa mbante meshën në prag të Pashkëve katolike, ai tha se largimi i tyre drejt Turqisë është një tregues se si ata që deri dje cilësoheshin miq, u prenë në besë.

“Me atë çka kemi dëgjuar sot, ndoshta këta që kanë pre mikun në besë dje, nesër do të jenë të gatshëm ta dorëzojnë edhe Kryeministrin”, u shpreh Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Policia e Kosovës arrestoi gjatë së enjtes 6 shtetas turq pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke.

Mësuesit e kolegjeve “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, dyshohet se janë pjesëtarë të organizatës “FETO” të imamit Fetullah Gylen.

Ky i fundit akuzohet se është organizator i puçit ushtarak në korrik të vitit 2016, në Turqi. /a.y/noa.al

Dëbimi i 6 turqve nga Kosova, Erdogan: Me lejen e Zotit do t’i kapim gylenistët