Transmetuar më 28-04-2018, 16:38

Nën masa të rrepta sigurie, ka mbërritur sot në Shqipëri, përmes aeroportit të Rinasit, Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kirilli.

Ai do të qëndrojë në Tiranë për dy ditë me radhë, ku mësohet se do të takohet edhe me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

"Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist", bën të ditur Kisha në një njoftim.

Ditën e diel, në 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.

Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepishkopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”.

Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.

Mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.

Të hënën, në 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë, me Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin, z. Edi Rama.

Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”. /k.k/noa.al/