Transmetuar më 29-05-2018, 10:12

Presidenti Ilir Meta dekoroi paraditen e sotme, në kishën e Shna Ndout në Laç, Kardinalin shqiptar Ernest Simoni (Troshani) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kjo dekoratë u dha me motivacionin, “Kardinalit të shquar shqiptar, përfaqësuesit të brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit, dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit”.

Në fjalën e rastit Meta tha se kjo dekoratë jepet në kishën simbol të qëndresës dhe të lutjeve, për të nderuar së bashku Kardinal Troshanin.

Ai e cilësoi kardinalin, si një nga simbolet e gjalla të qëndresës dhe të lutjeve dhe një personalitet i spikatur i besimit katolik.

Sipas Presidentit, Kardinal Troshani është promovues universal i vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare.

“Kardinal Troshani është përfaqësues i brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit. Ai ia ka kushtuar jetën dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze, në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit. Kardinali Troshani është një ndër dëshmitarët e fundit të gjallë të gjeneratës së klerikëve shqiptarë, që u persekutuan mizorisht, u dënuan dhe u martirizuan. Kardinali Troshani, është simboli i rezistencës dhe i përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave e idealeve kombëtare kur mbi Shqipërinë tonë qëndronin retë e zeza të diktaturës”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se ky veprim, simbol i besimit, i paqes, i respektit dhe i lirisë u ndëshkua ashpër me dënimin me vdekje dhe më pas me 25 vjet burgim për Dom Troshanin, duke e falënderuar si dëshmitar të gjallë i kalvarit të vuajtjeve të klerit shqiptar nën regjimin komunist.

Për Presidentin, Kardinal Troshani, është bariu që me fjalët dhe veprat e tij vijon ende të na inkurajojë për të ecur drejt udhës së atyre vlerave shpirtërore njerëzore, fetare e kulturore, kishtare e kombëtare. /a.y/noa.al