Transmetuar më 10-06-2018, 19:42

Fundjava që po mbyllet ishte e shënuar për 221 djem që u vendosën nën armë, pasi u betuan si “besnikë ndaj atdheut”.

Në ceremoni morën pjesë shumë zyrtarë qendrorë, lokalë dhe ushtarakë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke.

Mes djemve që u rekrutuan ishin edhe dy shqiptarë.

Njëri, është 24 vjeç dhe quhet Aurel Lleshaj që shikoni në foton që ju sjell noa.al.

Aureli, fare i vogël ka shkuar në Greqi.

Ishte 7 vjeç kur mbërriti në Athinë, ku edhe jeton prej 18 vjetësh me familjen e tij.

Tani ka vendosur të hyjë në shërbimin ushtarak grek.

“Përse u fute në ushtrinë greke”, – e pyet Jani Xhuma, gazetari i “E vërteta”, portal informativ në Athinë.

“Sepse Greqia është atdheu im dhe doja të shërbeja në ushtrinë e saj”.

E njëjta pyetje i bëhet edhe djaloshit tjetër shqiptar që shihni në foton më poshtë, Erison Petraj.

Ai përgjigjet: “Sepse jam grek”.

Kurse shton: “Erdha i vogël nga Shqipëria, isha 2 vjeç, tani jam 22”.

Djali, bashkë me familjen jetojnë në ishullin Hios.

Reportazhi i medias greke, mbyllet me vlerësime për aktivizimin e djemve shqiptarë në ushtri dhe apel ndaj grekëve që të ngrenë lart edhe ata, emrin e atdheut të tyre.

Në Greqi, shërbimi ushtarak përfshin të rinjtë mbi moshën 18 vjeç. Për ata që jetojnë prej vitesh atje dhe duan që të kenë të drejta të plota si qytetarët grekë dhe pasaportë greke, duhet t’i nënshtrohen shërbimit ushtarak.

Kjo ka bërë që shumë djem shqiptarë të cilët jetojnë prej vitesh në vendin fqinjë, të rekrutohen në repartet e ushtrisë greke në të gjithë Greqinë. /noa.al/