Transmetuar më 17-06-2018, 10:54

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas vdekjes së të atit, i cili humbi jetën këtë të shtunë si pasojë e një sëmundje të rëndë.

“Me hidhërim të madh mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, këtij patrioti të madh të luftës çlirimtare të Kosovës, babai i dy heronjve të UÇK-së, Luanit dhe Shkëlzenit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, i cili shtëpinë e familjen e tij e ktheu në kështjellë të pamposhtur të qëndresës dhe luftës për liri kombëtare”, shkruan Meta në mesazhin e tij.

Presidenti thotë se i ndjeri ishte një burrë i traditës, mikëpritjes dhe atdhedashurisë.

Meta shton se ka pasur fatin që ta njohë nga afër dhe të ndjej mikpritjen bujare të këtij njeriu të madh.

“Ngushëllime të thella familjes Haradinaj, të afërmve dhe miqve të tij të panumërt. Shpirti i tij u prehtë në paqe”, thotë në mbyllje të mesazhit të tij, Ilir Meta.

Kujtojmë se varrimi i të ndjerit bëhet të hënën, më 18 qershor ora 14.00, në Gllogjan. /a.y/noa.al