Transmetuar më 22-06-2018, 13:37

Qeveria ka publikuar ditën e sotme, skemën lehtësuese lidhur me tarifën për Rrugën e Kombit. Bëhet me dije se pagesa do të nisë nga 17 shtatori.

Kjo skemë u bë me dije pasi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, u ndalën në qarkun e Kukësit, ku prezantuan paketën e negociuar me kompaninë koncesionare për skemën lehtësues për taksën në Rrugën e Kombit.

Paralel me procesin e negocimit me kompaninë koncesionare janë zhvilluar më shumë se 10 takime konsultative me komunitetin dhe grupet e interesit ku përfshihen: dëgjesa me banorët dhe drejtuesit e Bashkive të Kukësit, Hasit e Tropojës; takime me përfaqësues të Prefekturës dhe Këshillave bashkiake; takime me përfaqësues të bizneseve të grupuara në Odën Ekonomike të Kosovës; takime me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë.

Grupi ka pranuar kërkesën e bizneseve, kryesisht atyre të Kosovës, për të spostuar rinisjen e zbatimit të kalimit me tarifë përtej sezonit aktual turistik. Rrjedhimisht, është përcaktuar që kalimi me pagesë në aksin Milot-Morinë të fillojë të zbatohet duke nisur nga data 17 Shtator 2018.

Ministri Gjiknuri bëri me dije se do të kompletohet edhe pjesa e mbetur nga Kukësi në Morinë.

Nga ana e tij ministri Ahmetaj deklaroi se dikujt mund ti duket pagesa simbolike, e dikujt tjetër shumë, por tha se Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të tarifës.

Paketa lehtësuese për kalimin në Rrugën e Kombit

Tarifimi i automjeteve të banorëve të Qarkut të Kukësit

Tarifë prej 100 lekë me TVSH për një kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës;

Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda periudhës një mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime;

Përdoruesit e Qarkut Kukës do të parablejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar;

Kjo skemë tarifore do të aplikohet për klasën e automjeteve A dhe B për përdorim vetjak, të regjistruara në Qarkun Kukës;

Për automjetet e cilësuara më lart, të regjistruara në Qarkun e Kukësit, do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës;

Tarifimi i autobusëve të linjës

Janë identifikuar 11 linja të licencuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit;

Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale;

Këto mjete do të kenë tarifë Kalimi prej 100 lekë me TVSH për një kalim;

Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqipëria dhe Kosova):

Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;

Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;

Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;

Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;

Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit për këtë paketë lehtësuese:

Shteti shqiptar duhet të paguajë koncesionarit në 30 vitet e kontratës 48.5 milion Euro si rezultat i zbatimit të këtyre tarifave të reduktuara për banorët e Qarkut Kukës, mjetet e transportit publik në këtë zonë dhe përdoruesit e shpeshtë. /a.y/noa.al