Transmetuar më 23-06-2018, 16:11

Tirana do të ketë një Teatër të vërtetë Kombëtar të përshtatshëm për të vënë në skenë edhe veprat e mëdha dhe që i fton artdashësit për t’i ndjekur ato.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Barcelonë, arkitekti i Studios Bjarke Ingels Group,  thotë se godina aktuale e Teatrit Kombëtar nuk ka mundësi që të rikonstruktohet. Ai është i mendimit se dy godinat aktuale të teatrit janë jashtëzakonisht të ngushta,  duke mos krijuar hapësirën e nevojshme fizike.

Bjarke Ingels sqaron se godinat ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, por si hapësira argëtimi për ushtarakët italianë.

 “Nëse ke një shfaqje të madhe si për shembull Otello, Hamleti apo Mbreti Lear, do të jetë e nevojshme që elementë të mëdha skenikë të hyjnë e të dalin nga skena dhe godina aktuale thjesht nuk e ka gjeometrinë, nuk e ka hapësirën, për të qenë një Teatër Kombëtar i vërtetë. Teatri i ri Kombëtar që kemi projektuar do të ketë dy teatro eksperimentalë që janë tejet të ngjashme me skenat ekzistuese, por do të ketë edhe një skenë të mirëfilltë teatrale që do të ketë mbiskenë, nënskenë, skenat anësore”, tha Bjarke.

Arkitekti i njohur në të gjithë botën për veprat e tij arkitektonike, thotë se fillimisht është punuar mbi dy variante, rikonstruksionin e teatrit dhe ndërtimin e tij nga e para.

Por shumë shpejt, thotë Bjarke Ingeles, varianti i parë u rrëzua pasi jo vetëm që nuk jepte zgjidhje për një institution të rëndësishëm sikurse teatri, por njëkohësisht edhe kostoja e një ndërhyrje të tillë ishte e lartë. 

“Ajo që kuptuam shumë shpejt është se dy volumet e holla të godinave ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, janë ndërtuar si hapësira argëtimi për ushtarakët italianë dhe pastaj janë transformuar e përdorur si teatër. Por nuk kanë dimensionet fizike për të mbajtur një audience të madhe, që do të ishte e rëndësishme për një Teatër Kombëtar, nuk ka hapësira për skenat anësore, nuk ka lartësinë e mbiskenës, nuk ka një nënskenë: pra nuk ka gjeometrinë për te funksionuar si një Teatër Kombëtar”, thekson arkitekti Bjarke.

Arkitekti i Teatrit te ri, vlerëson debatin e artistëve, por thotë se ky projekt i përshtatet më së miri qendrës së transformuar të Tiranës.