Transmetuar më 24-06-2018, 09:11

FIFA deklaroi se ka hapur zyrtarisht një hetim mbi mënyrën e festimit të golave nga ana e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, gjatë fitores së Zvicrës përballë Serbisë në Kupën e Botës së Rusisë.

Të dy lojtarët janë me prejardhje shqiptare nga Kosova, aty ku spastrimi etnik i ndërmarrë nga serbët ndaj popullsisë shqiptare përfundoi vetëm pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999.

Pasi shënuan, ata bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore të flamurit shqiptar, e sigurisht që të dy u vërshëllyen nga tifozët serbë e rusë.

Në deklaratën zyrtare, FIFA shkruan se Komiteti i Disiplinës ka nisur hetimet ndaj Xhakës e Shaqirit.

Kurse shton: “Në lidhje me të njëjtën ndeshje, procedime disiplinore janë hapur edhe ndaj Federatës Serbe të Futbollit, për shqetësimet që kanë sjellë tifozët në stadium dhe shfaqjen e mesazheve politike e agresive nga tifozët serbë”.

Që të dy lojtarët festuan golat duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore. Shaqiri pas ndeshjes tha se gjesti i tij ishte “emocional” dhe jo politik.

Granit Xhaka ka lindur në Zvicër dhe prindërit e tij janë me origjinë nga Kosova.

Vëllai i tij, Taulanti luan për kombëtaren e Shqipërisë.

Ndërkaq, Xherdan Shaqiri ka lindur në Kosovë.

Edhe Kombètarja e Zvicrës lëshoi kritika ndaj dy lojtarëve.