Transmetuar më 24-06-2018, 16:38

Skuadra e Anglisë ka siguruar kualifikimin për në raundin tjetër në Kupën e Botës “Rusi 2018”.

Skuadra e “tre luanëve” shpartalloi me rezultatin e thellë 6-1 ekipin e Panamasë.

Kjo është hera e parë që Anglia shënon kaq shumë gola në një ndeshje në historinë e saj në botërorët e luajtur.

Djemtë e Gareth Southgate shënuan plot pesë gola në pjesën e parë ndërkohë në të dytën ulën ndjeshëm ritmin.

Festivali i golave u hap në fillim të ndeshjes nga mbrojtësi Stones që çoi topin në rrjetë pas një harkimi nga goditja e këndit.

Kane dyfishoi nga penalltia ndërkohë Lingard shënoi një gol tepër të bukur. Në fund të pjesës së parë u shënuan edhe dy gola të tjerë nga Stones dhe Kane, sërish nga penalltia.

Pjesën e dytë kapiteni Harry Kane çoi shifrat në 6-0 ndërkohë Panamaja realizoi golin e nderit dhe të parin e saj në një kupë bote, për rezultatin përfundimtar 6-1./a.m./noa.al/