Transmetuar më 25-06-2018, 08:24

Numërohet shuma e parave të bllokuara këtë të diel në portin e Durrësit, teksa ishin fshehur në dy makina “Toyota Yaris”.

Nga numërimi kanë rezultuar 3 milionë e 470 mijë euro, me prerje 20, 50 dhe 100 euro.

Bazuar në verifikimet e kryera, shuma e parave rezulton e rregullt, dhe nuk ka asnjë kartmonedhë false.

Milionat e eurove ishin ndarë në katër thasë dhe ishin ndarë në dy makina “Toyota”.

Nga hetimet e kryera rezulton se makinat vinin nga Belgjika, kaluan më tej tranzit në Itali dhe u bllokuan në Durrës, pas njoftimit nga ana e autoriteteve italiane.

Aktualisht hetimet janë në vijim, për të zbuluar porositësin e makinave dhe personat që i dërguan duke i fshehur në mjete. Paraprakisht dyshohet se shuma e parave, është fryt i aktivitetit kriminal, në shtetin e Belgjikës.

Makinat së bashku me kamionin që i transportonte janë bllokuar në orën 15:00 të së dielës në portin e Durrësit, ndërsa ato kishin zbarkuar aty me tragetin e linjës Ankona-Durrës, në orën 10:00 të paradites.

Nga ana e policisë u arrestuan shoferët e trajlerit që sollën automjetet nga Bari, Itali, Klevis Cani 21 vjeç dhe Agim Ceka 61 vjeç, si dhe pronari i kompanisë së transportit.

Ky i fundit, Edi Lika gjatë marrjes në pyetje nga policia është shprehur i befasuar për shumën e parave që janë gjetur në makinat e transportuara nga kompania e tij.

Ai ka zbuluar se kompania e tij ishte kontraktuar nga një biznesmen përkundër pagesës për transportin, por nuk kishte dijeni për paratë.

“Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kemi kryer thjeshtë transportin. Na kontaktoi një biznesmen dhe ne bëmë punën”, tha Lika.

Mësohet se në kamion po transportoheshin 9 makina, prej të cilave shtatë “Toyota Yaris”, por dy të mbushura me milionat e eurove. /a.y/noa.al

Pronari i kompanisë që transportoi makinat me 5 milionë euro, zbulon kush e porositi

Bllokohen 5 mln euro në Portin e Durrësit, ishin fshehur në dy makina "Toyota" Ku e dinte Basha që do kapej “Toyota” në Durrës me 1.5 mln euro? Çfarë tha në Kuvend