Transmetuar më 25-06-2018, 10:10

Kryeministri Edi Rama reagon ndaj zërave të përhapur së fundmi, se në vendin tonë do të ngrihet një kamp për të pritur 600 mijë refugjatë.

Ashtu siç ka thënë dhe në disa raste të tjera, kreu i qeverisë e hedh poshtë një gjë të tillë.

Ai thotë se dje samiti i Bashkimit Europian për krizën e refugjatëve shpoi tullumbacen gjigante të lajmit të rremë për kampin në Shqipëri.

“Ky lajm i prodhuar dhe propaganduar nga esadistët e rinj të Shqipërisë në politikë e media, s’ka asnjë lidhje me planet e BE për refugjatët. Mos t’ua harrojmë këtë turp”, shkruan Rama.

Më herët Kryeministri deklaroi se vërteta është se as teorikisht e jo me praktikisht, nuk ekzistojnë në asnjë pikë të planetit, jo 600 mijë ushtarë të ISIS-it që presin avionët për t’u nisur për në Shqipëri, po as 600 mijë refugjatë të zakonshëm që mund të mblidhen e të spostohen si të ishin robër lufte, drejt një vendi të vetëm, lëre pastaj drejt një vendi të vogël sa Shqipëria. /a.y/noa.al