Transmetuar më 25-06-2018, 11:53

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, thotë se është optimist për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull me Shqipërinë.

Në një intervistë për portalin euractiv.com, Kotzias ka folur për negociatat me Shqipërinë, ku ka thënë se janë zgjidhur një sërë çështjesh, sidomos ato që lehtësojnë punëtorët ose emigrantët nga Shqipëria.

“Tani, kemi çështjet e mëdha. Në Athinë u takua komisioni i përbashkët i ekspertëve dhe ne bëmë një hap të madh”, është shprehur Kotzias.

Ai ka deklaruar se opozita greke ka shprehur shqetësim se po diskutohet për çështjen çame, por sqaroi se “Ne nuk e diskutojmë fare këtë temë. Gjatë negociatave nuk ka pasur asnjëherë pyetje për Çamërinë”.

Lidhur me çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Kotzias deklaroi se nuk duhet ta bllokojnë këtë perspektivë.

“Nëse një nga të dy vendet fillon negociatat dhe le të themi, Shqipëria lihet jashtë, kjo do të krijojë një situatë destabiliteti në rajon”, u shpreh Kotzias. /a.y/noa.al