Transmetuar më 25-06-2018, 12:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pas bllokimit të miliona eurove në dy automjete “Toyota Yaris” në portin e Durrësit një ditë më parë.

Bllokimi i shumës së parave, vjen vetëm disa ditë pasi Basha deklaroi në parlament se kreut të grupit të PS Taulant Balla iu zbulua makina me 1.5 milionë euro.

Ai tha se policia ishte pjesë e planit për të mbuluar skandalin, por ishte nën presion nga partnerët.

“Policia shqiptare ka qenë nën presion nga një prej partnerëve tanë, është një nga vendet partnere që janë skeptike sa i takon luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, deklaroi Basha për mediat.

Lidhur me akuzat se Basha dekonspiroi një operacion policor me informacionet e publikuara, ai tha se në fakt u dekonspirua plani i Taulant Ballës për pastrimin e parave të drogës.

“Është dekonspiruar plani i Taulant Ballës, dhe strukturave të policisë për të çuar bashkëpunimin deri në fund me një prej bandave më të forta të drogës së Elbasanit”, vijoi Basha.

Ai tha më tej se Taulant Balla ishte garanti i marrëveshjes me një prej bandave më të fuqishme të Elbasanit. Sipas Bashës, plani ishte që kreu i grupit të PS të merrte 1.5 milionë euro.

“Kemi një Ministër të Brendshëm kokë të trafikut të drogës, kemi ministrin tjetër që përpiqet të justifikojë vëllain e tij trafikant, dhe tani kemi kryetarin e grupit të PS i cili me pastrimin e parave të drogës, e kam thënë, kanabisin ua kanë lënë gjyhnaqarëve, tani jemi te heroina dhe kokaina. Një milion e 500 mijë euro ka qenë pakti, të shohim sa do thojë policia. Marrëveshja është garantuar nga Taulant Balla, ky ka qenë garanti”, vijoi Basha./a.m./noa.al/