Transmetuar më 25-06-2018, 13:49

Greqia dhe Shqipëria janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.

Në paketën e zgjidhjes, siç raportohet nga mediat greke nuk përfshihet Çështja Çame.

Kjo ka sjellë irritimin e PDIU-së dhe Shoqatës Çamëria që kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët shpërndarë për mediat.

Në deklaratë u bëhet thirrje shqiptarëve të bëhen pjesë e një proteste të madhe civile si dhe të bojkotojnë produktet greke, si forma të reagimit qytetar.

“Kjo mospërfshirje e çështjes Çame kërkon shpjegime dhe reagim të menjëhershëm nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Jashtme, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një Çështje Kombëtare e me ndjeshmëri të lartë për të gjithë shqiptarët, po në veçanti për një kauzë njerëzore e cila prek qindra mijëra familje, viktima të Genocidit. Theksojmë se trajtimi i kësaj çështje është detyrim për qeverinë Shqiptare, në bazë te Rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë për Çështjen Çame, si dhe Ligjit te Parlamentit Shqiptar te vitit 1994 i cili sanksionon datën 27 qershor, si dita e Genocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë, datë e cila si për ironi përkon pikërisht me këtë kohë, ku po kërkohet që mbi to të vihet guri i harresës”, thuhet në deklaratë.

PDIU ofrohet për të qenë pjesë e bisedimeve me palën greke ndërsa refuzimin për të trajtuar Çështjen Çame e quan tradhti kmbëtare.

“Ne kërkojmë që z.Bushati të plotësojë me përgjegjshmeri kushtetuese e njerëzore detyrimet e tij. Shoqata Çamëria e PDIU është e gatshme ta asistojë e të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, por deklarimi se pala greke nuk pranon bisedimet, është justifikim i pamoralshëm e tradhëti e Çështjes Kombëtare”, vijon deklarata e PDIU.

Mes të tjerash, jepet edhe një mesazh për Ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias: “Ftojmë z.Kotzias, të jetë i kujdesshëm në deklarimet e tij e mos te jetë i vetëkënaqur sepse Çështjen Çame, çamët, të vrarët, gjykatat ndërkombëtare, por edhe gjyqin e historisë, do ti ketë përballë gjithmonë, e duhet ta ketë fort të qartë, se jo gjithmonë do ketë përballë shtetarë servilë e të intimiduar që tjetër thonë në Tiranë, e tjetër në Athinë”.

Shoqata Çamëria dhe PDIU, u bën thirrje ministrave Bushati dhe Kotzias të zgjidhin me dialog e në frymën e fqinjësisë se mirë këtë çështje sepse “ne po presim me durim, po në rast te kundërt do të përballen me reagimin tonë të ashpër e me protesta dhe me të gjitha format e revoltës së ashpër te njerëzve që kanë kaq vite që presin me shumë durim, por qe s’mund të durojnë fyerjen e tragjedisë së të parëve”.

“Ne do ti bejmë thirrje shqiptarëve të bëhen pjesë e një proteste civile, e që në fillim të bojkotojnë produktet greke në treg dhe bankat greke si hapin e parë, por që më pas do ketë shumë forma të tjera më të ashpra e radikale. Dinjiteti ynë vlen më shumë se kaq, e protesta jonë do kalojë kufijtë e parashikimet e tradhëtarëve të kësaj Çështje. Shqiptarët do kuptojnë cilët janë patriotët e cilët janë Esadistët”, mbyllet deklarata e PDIU dhe Shoqatës Çamëria./a.m./noa.al/