Transmetuar më 25-06-2018, 14:08

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin, komenton zërat lidhur me krijimin e një kampi për refugjatët, ku prej kohësh thuhet se vendi ynë do të presë 600 mijë të tillë.

Ajo tha se është hera e disatë që i jep përgjigje gjatë javës së fundit kësaj çështje, ndërsa mohon që të ketë kushtëzim për çeljen e negociatave.

“Jo, nuk ka asnjë plan dhe asnjë përpjekje të tillë për të shkëmbyer me një kusht të tillë, nëse ka kushte janë për mirëqeversjen. Pra gjithçka që lidhet me zbatimin e ligjit, shtetin e së drejtës por asgjë që ka të bëjë me emigracionin dhe kampet”, u shpreh Vlahutin.

Qëndrimi i saj u dha pasi u pyet nëse kampi i refugjatëve do të hapej, në këmbim të çeljes së negociatave.

Ajo deklaroi në vijim se Shqipëria është në një fazë ku mund të hapë negociatat pa kushte.

“Unë nuk loboj për Shqipërinë, unë kam punuar për Shqipërinë në mënyrë që ne të kemi një situatë në Komisionin Europian. KE doli me një rekomandim të qartë se Shqipëria është në një fazë, në të cilën Shqipëria mund të hapë negociatat pa kushte”, deklaroi sot ambasadorja, në një aktivitet në Malësinë e Madhe.

Megjithatë ajo tha se vendimi takon shteteve anëtare, dhe se do të merret nga të 28 vendet, ku duhet të jetë unanim. /a.y/noa.al