Transmetuar më 04-07-2018, 22:48

Aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj përmes një video-mesazhi iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të enjten në orën 10.00 të mbështesin artistët në protestën e madhe kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.

Malkaj tha se qeveria po shkel mbi historinë e se Teatri është një shtëpi e mbushur me dashuri e ndaj nuk mundet të shkatërrohet.

“Unë ju dua shumë. E dua edhe Teatrin. E dua sepse pikërisht në këtë Teatër kam lënë jetën. Jo vetëm unë, por të gjithë aktorët. Unë e dua një teatër që të jetë i ri, por jo të rrënohet totalisht ky që kemi”, shprehet Malkaj.

Ai shton më tej:

“Kjo sepse këtu ne kemi lënë kujtime, ata që na kanë ndjekur kanë kujtime dhe nuk mundet ta shkatërrojnë fadromat. Prandaj, unë ju lutem që të na mbështesni. Në orën 10 nesër hajdeni dhe protestoni kundër prishjes së Teatrit”, tha Mehdi Malkaj./a.k/noa.al/