Transmetuar më 10-07-2018, 21:52

Në foto: Rama dhe Tsipras sot në Londër

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij grek, Aleksis Tsipras u takuan pasditen e sotme në kryeqytetin britanik, Londër.

Takimi u zhvillua në orën 17.20 pa praninë e medieve të cilat u lejuan vetëm për disa çaste për të shkrepur foto.

Më tej për 30 minuta Rama dhe Tsipras zhvilluan takim kokë më kokë.

Pas daljes nga takimi as Rama dhe as Tsipras nuk informuan mediat mbi këtë takim.

Megjithatë, dy kryeministrat dhanë prononcime për gazetarët e pranishëm.

Rama foli mbi zhvillimet politike por nuk dha asnjë informacion se çfarë u fol me Tsipras.

Ndërsa kryeministri grek i intervistuar nga TV shtetëror ERT, ka folur mbi takimin duke qenë evaziv në informacionin e dhënë.

Televizioni shtetëror njoftoi se Rama dhe Tsipras folën në takim mbi ecurinë e bisedimeve mes MPJ greke Nikos Kotzias dhe atij shqiptar, Ditmir Bushati.

Mes palëve ka ende disa ndasi pasi ata nuk paraqesin qëndrime të njëjta në disa çështje të rëndësishme.

Megjithatë dy kryeministrat kanë shprehur bindjen se së shpejti do të ketë një kurorëzim të negociatave intensive të muajve të fundit. /noa.al/