Kurban Bajrami, Rama uron besimtarët myslimanë me anë të një video
Transmetuar më 21-08-2018, 08:55

Gjithë besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Në këtë ditë të shënuar, Kryeministri Edi Rama u ka bërë urim me anë të një video të cilën e gjeni më poshtë.

“Me këto pamje nga kantieret e shumta të punës për rimëkëmbjen e xhamive në mbarë vendin që janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan Rama.

Besimtarët myslimanë falën mëngjesin e sotëm Namazin, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Falja u bë në sheshin “Skënderbej”, ku kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, uroi gjithë besimtarët për mbarësi.

Kreu i KMSH, në mesazhin e tij të urimit tha se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar.

Ai tha se besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit.

Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.

Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. /a.y/noa.al 

Loading...