Transmetuar më 31-08-2018, 11:26

Kryeministri Edi Rama thotë se janë gjysmë miliardë euro më shumë të futura në ekonomi, se sa vitin e kaluar sa i takon sektorit të turizmit.

Ai bëri me dije se prej këtij sektori pati 22% më shumë punësime në Sarandë e deri 7% në Vlorë dhe Lezhë.

“Pati rritje të konsiderueshme të shitjeve me Tvsh çka do të thotë rritje të formalizimit, ku e para vjen Saranda, më tej Durrësi, Vlora, Lezha, Shkodra etj.”, u shpreh Rama ditën e sotme gjatë një takimi që pati në Kryeministri me kryebashkiakët dhe prefektët.

Por ai shprehu keqardhjen që një pjesë e kryebashkiakëve të opozitës nuk ishin të pranishëm

Rama shprehu vendosmërinë për të vazhduar punën në dy aspekte, në rritjen e investimeve në infrastrukturën turistike, duke bërë me dije se një program i ri për ujësjellësa nis së shpejti dhe do të jetë i gjithi i fokusuar tek turizmi.

“Dhe do ju përgjërohem të fokusoheni tek agroturizmi, sepse është e pajustifikueshme dhe e papranueshme që ndërkohë që potenciali për agroturizmin është aq i madh, ne detyrohemi të anulojmë dhe përsërisim shtyrjen e thirrjes për agroturizëm për të dhënë para falas për zhvillimin e këtij sektori. Ne kemi problemin që s’patëm aplikime nga bashkitë tuaja, kur them bashkitë kam parasysh subjektet në bashkitë tuaja”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se agroturizmi është një përgjigje spektrakolare për të luftuar varfërinë dhe për tu dhënë një rrugë atyre banorëve që nuk kanë akses të lehtë në treg, sepse nëse për produktet bujqësore është dalja e fermerit në treg, për agroturizimin është ardhja e turistit tek fermeri.

Ai deklaroi se qeverisë nuk i intereson ngjyra politike e bashkisë, por mbështetja e aplikimeve në agroturizëm. /a.y/noa.al