Transmetuar më 31-08-2018, 17:17
Mogherini në një konferencë për mediat

Propozimi i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” ka ndezur së tepërmi politikën jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e më gjerë.

Ndryshimi i kufijve është parë me shqetësim nga Bashkimi Evropian që e shikon si rrezik të madh për efekt domino dhe tensione të reja në rajon.

Ndërkohë, për Shtetet e Bashkuara që dikur çështja e kufijve ka qenë “vijë e kuqe”, tashmë duket se nuk është më nën administratën Trump.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme në BE Federica Mogherini. Ajo ka deklaruar se BE do të pranonte një marrëveshje mes Serbisë e Kosovës vetëm nëse nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Mogherini tha se do të mbështetej marrëveshja vetëm nëse dy vendet heqin dorë nga përpjekjet për të krijuar shtete etnikisht homogjene.

“Cilido që të jetë rezultati i dakorduar në mënyrë reciproke, do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Mogherini.

Ajo e dha këtë deklaratë në një konferencë për mediat në Vjenë pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE dhe Ballkanit./a.m./noa.al/