Transmetuar më 03-08-2018, 20:25

Ajo është një adoleshente me shumë ëndrra për jetën, por një problem i lindur shëndetësor e ka kushtëzuar nga shumëçka në jetë.

15-vjeçarja Denada Çobaj nga Shkodra, edhe pse ka kaluar një jetë të vështirë mes skamjes dhe dhunës në familje, kërkon pak shpresë që ta jetojë jetën si të gjithë bashkëmoshatarët e saj.

Denada ka lindur me problem në këmbën e djathtë të cilën e ka gjashtë centimetër më të shkurtër se tjetra. Nëna e saj Alma Aliaj ka marrë garancinë nga një klinikë private në Tiranë se vajza mund t’i nënshtrohet një operacioni për zgjatje kocke, por kushton 10 mijë euro.

Alma thotë se nuk ka asnjë mundësi t’i sigurojë këto para. Shumica e pagës së saj si pastruese shkon për qiranë. Madje ajo thotë e pikëlluar se djalin më të vogël është detyruar ta çojë në një shoqatë pasi nuk ka me se ta ushqejë.

“Unë nuk arrij dot as t’u plotësoj nevojat minimale për t’i mbajtur me bukë. Kam edhe një djalë 7-vjeç të cilin e kam çuar te shoqata. Burri ka ikur që kur lindi djali dhe nuk do t’ja dijë fare”, thotë nëna e Denadës.

Ajo tregon se madje ai dhunonte edhe vajzën invalide.

“Ai e dhunonte, nuk e donte fare. Unë i thoja si nuk të vjen rëndë që rreh vajzën invalide por ai njësoj”, vijon rrëfimin Alma.

Ajo thotë se burri u largua pak kohë pas lindjes së djalit dhe ka shkëputur çdo kontakt me ta. Por nuk shpreh asnjë keqardhje për këtë gjë.

“Ai vetëm na rrihte”, thotë nëna.

Alma iu drejtua redaksisë së Noa.al me shpresën se apelit të saj për ndihmë do t’i përgjigjet dikush. Ajo kërkon ta ndihmojnë për të financuar operacionin e vajzës që kushton 10 mijë euro.

Kjo nënë e vetmuar thotë se te shteti nuk ka asnjë shpresë. Dikur vajza ka marrë KEMP por ia kanë hequr pa asnjë arsyetim bindës sipas saj.

Tani shpresa e saj e vetme janë bashkëatdhetarët nga të cilët kërkon ndihmë për vajzën e saj, në mënyrë që të ndjekë ëndrrat dhe të jetojë jetën njësoj si bashkëmoshatarët.

Cilido qytetar që ka sadopak mundësi t’i vijë në ndihmë kësaj familjeje fatkeqe, mund të kontaktoni përmes numrit të telefonit +355697846157, edhe përmes aplikacioneve Viber dhe Whatssap./a.m./noa.al/