Transmetuar më 04-08-2018, 12:53

Këtë vit më shumë se çdo herë tjetër, është denoncuar me pamje se plazhet në vendin tonë janë të boshatisura.

Pamundësi ekonomike, çmime të kripura dhe një sërë faktorësh të tjerë, bëjnë që shumë nga plazhet tona ndonëse në pikun e sezonit, të mos kenë atë fluksin e pritshëm të turistëve.

Ka qenë deputeti demokrat, Edi Paloka i cili ditën e sotme, ka sjellë një panoramë nga një plazh në Durrës.

“E shtunë, 4 gusht ora 11.00. Po na shkelin turistët me këmbë…”, shkruan Paloka në mënyrë ironike.

Në rrjetet sociale janë publikuar në vijimësi pamje edhe nga riviera e jugut, e cila ka shumë pak turistë.

Edhe deputeti Klevis Balliu publikoi sot pamje nga Borshi i  cili duket bosh.

Sipas tij, plazhet shqiptare janë braktisur nga pushuesit pasi qytetarët nuk kanë para për pushime.

“Varfëria dhe skamja kanë mbytur qytetarët shqiptarë. Ata mezi po shtyjnë muajon ndërsa plazhin dhe pushimet as nuk i mendojnë.  Varfëria është ulur këmbëkryq në vendin tonë, varfëri ekstreme ku qytetarët nuk mund të bëjnë asnjë ditë pushim. Qytetarët, turizmi, gjithçka është braktisur dhe është lënë në harresë nga qeveria e bandave”, shkruan Balliu. /a.y/noa.al