Transmetuar më 06-08-2018, 21:08

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish lider në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e më tej në politikë si kryetar i PDK dhe mandej kryeministër për disa vite, ka dalë me tezën e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Teza e tij po artikulohet në mënyrë të përsëritur ditët e fundit, pak kohë pasi mesin e korrikut pati bisedime në prani të BE me homologun serb dhe pak javë para se në shtator të ketë një tjetër raund bisedimesh.

Në daljet e tij publike, z.Thaçi ka folur për korrigjim të kufijve duke qartësuar se bëhet fjalë që Lugina e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës t’i bashkohen Kosovës.

Thaçi nuk bën të qartë nëse në këmbim do të ketë shkëmbim territoresh, por shqetësuese janë njoftimet që vijnë paralelisht nga Mitrovica, për autonomi me synim bashkimin me Serbinë, në pjesën e populluar kryesisht nga serbët minoritarë të Kosovës.

Duke qenë se janë të forta dyshimet se bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, nisur edhe nga fakti se është e vështirë ose në kufijtë e të pamundurës që Serbia të japë pa asnjë shkëmbim, Luginën e Preshevës, lindin dyshime se mund të kemi ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh.

Nëse ndodh kjo, një gjë është e qartë, shkruan NOA.al në këtë redaksionale të posaçme: Është e papranueshme që të bësh shkëmbim të territoreve të Kosovës me territore të Kosovës sepse në këtë mënyrë as më shumë dhe as më pak, por i dhurohet tokë e Kosovës, Serbisë.

Sepse dihet mirëfilli se Lugina e Preshevës dhe zonat e tjera shqiptare përreth janë tokë e Kosovës.

Po ashtu dihet fort mirë se Mitrovica është tokë e Kosovës.

Ndaj çdo përpjekje që të bëhet një shkëmbim i tillë territoresh, është as më shumë dhe as më pak, por dhurim i trojeve shqiptare të Kosovës.

***

Përplasja e fortë nisi me Berishën

Gjithçka nisi para disa ditësh, kur Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi në publik tezën e korrigjimit të kufijve me Serbinë, duke i rikthyer Kosovës, Luginën e Preshevës.

Deklarata e Thaçit, erdhi vetëm pak orë pasi në Mitrovicë, serbët e atjeshëm hodhën idenë për autonomi që çon në bashkim me Serbinë.

Teza e Thaçit, konsiderohet nga shumëkush si shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi.

Kjo solli reagimin e ish Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha. Ai u takua këto ditë me delegacionin e Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Ragmi Mustafa.

Ky i fundit, e cilëson si të rëndë gjendjen e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Ai denoncon shkeljen e lirive dhe te drejtave te tyre njerezore, politikat e reja albanofobe te autoriteteve te Beogradit qe synojnë çrrënjosjen e historise se lavdishme te shqiptareve te Lugines dhe kulturës se tyre.

Per keto qellime, thotë z. Mustafa, Beogradi ka bere gati ligjin e ri albanofob serb per heqjen e monumenteve dhe permendoreve historike te shqiptareve ne Luginen e Presheves dhe në Pazarin e Ri në kuadrin e serbizimit total dhe asimilimit te minoriteteve.

PDSH e drejtuar nga Mustafa, kerkon domosdoshmerine e njohjes te te drejtave qe Serbia kerkon per asosacionin e komunave serbe ne Kosove edhe per asosacionin e komunave shqiptare të Luginës së Preshevës.

Nisur nga zhvillimet e fundit, z.Berisha vlerëson se shqiptaret ne Luginen e Presheves jane sot minoriteti me i shtypur dhe me te drejtat me te mohuara ne Europe nga autoritetet serbe, i perjashtuar nga investimet ne infrastrukture dhe ne fushat e tjera.

“Serbia, kerkon super te drejta per serbet ne Kosove dhe mohon, ne kundershtim me marreveshjet nderkombetare qe ka firmosur, te drejtat e shqiptareve ne Luginen e Presheves por edhe ne Pazarin e Ri dhe kudo ne territorin e saj”, – vlerëson z.Berisha.

Ai apelon që shqiptarët e komunave të Luginës të mos përdoren per interesa te Serbisë per tregti territoresh: “Është fakt i pamohueshëm se Serbia gjithnjë ka dashur t’u përdori si plaçkë tregu dhe për shkëmbim territoresh. Personalisht kam qene dhe jam gjithnjë per paprekeshmerinë e kufijve te Kosoves dhe çdo lloj copëtimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kunder çdo diskutimi per keto çështje. Mendoj se te njohesh te drejten Serbise, fuqise se humbur nga lufta, te paraqese pretendime territoriale ndaj Kosoves eshte gabim i madh dhe historik, eshte ne nje fare menyre nje zhberje e qellimit dhe rezultatit te luftes dhe kapitullimit te Serbise. Por kjo eshte edhe nje zhberje e Kosoves te çliruar ne vitin 1999, te njohur ne dokumentat nderkombetare dhe nga mbi 115 shtete perfshi ketu 95% te vendeve te lira te botes”, – thekson z.Berisha.

Ai shton se Republika e Kosoves eshte shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijte e saj aktualë ndërkombëtarë ndaj Serbia nuk ka asnjë te drejte dhe nuk duhet t’i njihet asnje e drejte per te pretenduar qofte edhe nje pellembe toke të territorit te Kosoves.

Ndaj Berisha vlerëson: “Të pranosh idene e ndarjes se Kosoves ne nje menyre apo ne nje tjeter mbeshtet idene dhe perpjekjen e Beogradit per Serbine e Madhe ne kurriz te Kosoves. Ne rajonin tone, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica jane disa dhe hapja e nje precedenti qe kerkojne serbet ne Mitrovice do të minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin”.

Për Berishën, nuk ka asnjë dallim edhe ne rastin e “shkëmbimit” të territoreve “pasi kane qenë serbet ata qe kane kerkuar gjithnje dhe me insistim patologjik, edhe para shpalljes se pavarësisë se Republikës se Kosovës, ndarjen apo tregtinë me territoret e saj”.

Thaçi i sulet keq Berishës

Pak orë më vonë, pasoi reagimi i Hashim Thaçit, ish liderit të UÇK dhe më tej kryetar i PDK e në vijim kryeministër, sot President i Republikës së Kosovës.

Hashim Thaçi ishte goxha ambicioz në këmbënguljen e tij se nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës, as edhe për shkëmbim të territoreve, pro bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore.

“Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB”, – thotë z.Thaçi.

Madje ai thekson se “nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi”, – duke lënë të kuptohet se një marrëveshje me Serbinë është gati dhe mjafton që të pranohet nga pala shqiptare në Kosovë.

Sa për shqiptarët e Shqipërisë dhe politikën që flet prej Tiranës, z.Thaçi nuk ka asnjë përfillje, përkundrazi, akuza të forta, direkt ish Presidentit Sali Berisha:

“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuarët e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviçit.

Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste. Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, – thuhej në qëndrimin e Thaçit.

Pas kësaj përplasjeje të parë dhe shumë të fortë mes dy emrave të njohur të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, nisën reagimet e shumta nga politikanë dhe analistë të të dy shteteve.

Ndryshim kufijsh? BE: Zgjidhje sipas të drejtës ndërkombëtare

Për herë të parë Bashkimi Europian jo vetëm nuk vë alarmin kur flitet për ndryshim kufijsh, por madje as nuk e qorton Hashim Thaçin për deklaratën e tij të guximshme që Presheva t’i kalojë Kosovës.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses për Politikën e Jashtme Federika Mogherini, komenton se cili është qëndrimi i BE për propozimin e Thaçit:

“Gjatë dialogut të thirrur nga përfaqësuesja e nivelit të lartë Federika Mogherini në 24 qershor 2018 kryetarët Thaçi dhe Vuçiç zhvilluan një diskutim intensiv dhe produktiv në kuadrin e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ata ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme. Në takimin e fundit të dialogut ku përfaqësuesja e lartë priti të dy presidentët më 18 korrik, ata rishikuan përparimin e arritur dhe ranë dakord të takohen sërish në fillim të shtatorit. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet të dyja palëve që i ndihmon të arrijnë përparim në rrugën drejt Europës dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve. Nje zgjidhje e qëndrueshme nënkupton një zgjidhje realiste bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Palët po përcaktojnë bazën për pajtim te përbashkët”.

Nuk dihet se çfarë rishikuan dy presidentët në takimin e fundit në Bruksel në prani edhe të shefes së politikës së Jashtme Mogherini. Por pas 18 korrikut Hashim Thaçi filloi të artikulonte tezën e korrigjimit të kufijve dhe bashkimit të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovën, teze për të cilën është shprehur se do ta vërë në tryezën e bisedimeve në fillim të shtatorit.

E pikërisht duke u përgatitur për muajin e ardhshëm, kanë nisur deklaratat për korrigjim, shkëmbim apo ndryshim territoresh, me pikënisje Presidentin Thaçi.

Korrigjimi i kufijve është ndarje, sjell destabilitet në Ballkan

Analisti amerikan Daniel Serwer, reagon pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufirit, duke e quajtur atë një ide të rrezikshme.

Serwer thotë se kjo ide nënkupton në fakt ndarje dhe shkëmbim territoresh dhe ai mendon se zoti Thaçi nuk mund ta kishte hedhur idenë, pa rënë dakord me zotin Vuçiç dhe se Perëndimi mund ta ketë pranuar si zgjidhje.

Sipas z. Serwer, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të destabilizonte Ballkanin dhe më gjerë.

“Mund të forcojë mbështetjen politike për ata brenda në Kosovë që janë kundër Kosovës si shtet dhe që duan bashkimin me Shqipërinë, mund të dobësojë të moderuarit në Serbi. Dhe do të kishte ndikim negativ më gjerë tek Maqedonia, Bosnje-Hercegovina sepse Republika Srpska do të donte të korrigjonte kufijtë e vet dhe të bashkohet me Serbinë dhe pastaj kemi ambicjet ruse për të kontrolluar Osetinë Jugore dhe Abkazinë në Gjeorgji, Transnistrian në Moldavi dhe Krimenë dhe Donbasin në Ukrainë”, thotë z. Serwer.

Ai e quan jobindëse idenë se po të quhet ‘korrigjim’, do të shmanget hapja e një Kutie të Pandorës.

“Është ndarje, thotë eksperti i Universitetit "Johns Hopkins" në SHBA dhe vijon: “Para së gjithash ai po propozon ndarje për një pjesë të Serbisë, ai nuk po propozon heqjen dorë nga katër komunat e veriut, por Serbia do ta propozojë një gjë të tillë në këmbim (për Preshevën). Prandaj është ndarje e Kosovës dhe Serbisë, nuk është korrigjim kufijsh”.

Në të kaluarën, Uashingtoni dhe Brukseli janë shprehur kundër ndarjes apo shkëmbimit të territorit, duke theksuar se shtetet nuk mund të formohen mbi bazën e përkatësisë etnike, por me parimet e respektimit të pakicave.

Por Serwer e pranon që ky qëndrim mund të ketë ndryshuar.

“Ky diskutim nuk do të ishte hapur nëse nuk do të kishte thënë Brukseli dhe Uashingtoni që mund të diskutohet, sepse në të kaluarën ne kishim thënë që nuk mund të diskutohet dhe të gjithë i kuptonin arsyet. Dhe ata do t’i kujtojnë këtë arsye kur të flasin për këtë qëllim, sesa e vështirë dhe problematike do të jetë”.

Serwer shton se një nga faktorët që perëndimi mund ta ketë modifikuar qëndrimin, mund të ketë të bëjë me valët e populizmit në të dyja anët e Atlantikut dhe ajo që ai e quan një prirje më etno-nacionaliste.

“Mendoj se ide si kjo që do të kishin qenë sakrilegj për një administratë Clinton (të ish-Presidentit Clinton) dhe madje dhe për një administratë Obama dhe me siguri për një administratë të Hillary Clintonit, janë më të pranueshme në një botë të Trumpit ose Orbanit”.

Por ai shton se hapja e një diskutimi të tillë, do të hapte probleme të mëdha.

“Diplomatët e kanë kuptuar gjithmonë se ndryshimet e kufijve për të kënaqur ndryshimet etnike, janë një proces i pafund. Asnjëherë nuk mund t’i kesh të gjithë njerëzit në anën e duhur të kufirit.”

Serwer nuk beson që Kosova do të marrë anëtarësim në OKB, edhe nëse bihet dakord për një këmbim territori, ose korrigjim, pasi Kina nuk do të pranojë dhe as Rusia.

“Për Rusinë është e mjaftueshme që të destabilizojë Ballkanin dhe të pengojë Bosnjën dhe Maqedoninë për t’u anëtarësuar në NATO”, pohon z. Serwer.

Ndërkohë, dr. Serwer shton se kjo bisedë mund të ketë ndikim negativ në miratimin e referedumit në Maqedoni ku maqedonasit mund të ndihen të kërcënuar dhe të votojnë kundër.

Analisti i Ballkanit thotë se forca si Vetëvendosja do të rihapnin temën e bashkimit me Shqipërinë dhe të kërkojnë deri në referendum për këtë qëllim dhe hapja e kësaj teme do të hapte probleme për politikanët shqiptarë.

“Merita e madhe e Presidentit Thaçi ka qenë pavarësia dhe krijimi i shtetit të Kosovës. Pse ai do t’i hapë derën bashkimit me Shqipërinë, është një mister për mua”.

Megjithëse Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka folur publikisht për këtë temë shumë shpesh, është hera e parë që Presidenti Thaçi ose një zyrtar i lartë i Kosovës flet hapur për të. Dhe Serwer mendon se kjo nuk është nisma e tij, por e Serbisë dhe që po merr bekimin e administratës amerikane.

Shqetësime dhe thirrje për shmangie tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme, por ka kërkuar shtimin e shkallës së gatishmërisë së institucioneve të rendit.

Ai i bëri këto komente pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në të cilin siç tha u diskutua gjendja e rendit dhe ligjit nën dritën e retorikës politike të kohëve të fundit dhe afatit për dorëzimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se Kosova është duke kryer detyrimet e saj dhe askush nuk ka të dejtë të ndërmarrë ndonjë veprim të njëanshëm.

“Ne qëndrojmë brenda obligimeve, nuk kemi dal nga obligimet qofshin në dialog, pra nga obligimet në Bruksel, por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. Kështu që, ne kur e marrim transkriptin japim kontributin tonë, por edhe duhet të sigurohemi që është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Me këtë po dua të them se Kosova si palë është serioze, është brenda obligimeve ndërkombëtare dhe vendore. Për këtë, nuk ka askush të drejtë, askush nuk e ka të drejtën të ndërmarrë veprime të njëanshme, askush. Pse? Sepse asnjë thyerje, asnjë dalje nga obligimet nuk ka bërë Kosova”, tha kryeministri Haradinaj, duke nënvizuar që nëse dikush do të merrte ndonjë veprim të njëanshëm, atëherë ai veprim është jashtë ligjeve të Kosovës, edhe jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe do ta merrte përgjigjen e organeve të rendit dhe të ligjit.

Afrimi i afatit për dorëzimin e statutit të asociacionit është përcjellë me pohime se serbët e veriut të Kosovës mund të ndërmarrin veprime për shpalljen e njëanshme të autonomisë së tyre.

Përfaqësues të kishës ortodokse serbe në Kosovë thanë se mund të ketë një marrëveshje të fshehtë për të nxitur trazira të dhunshme në veriun e Kosovës dhe kjo të shfrytëzohej pastaj, për siç thuhet, krijimin e vijave ndarëse në baza etnike si një akt i kryer.

Të premten, përfaqësuesi i Manastirit të Deçanit, në Kosovën perëndimore, Sava Janjiç, u shpreh se mund të ketë një skenar për ndarjen e Kosovës.

"Qoftë përmes shpalljes së ‘autonomisë’, qoftë përmes marrjes së kontrollit mbi liqenin e Gazivodës, të dy lojtarët e mëdhenj duan të shkëpusin një llokmë të madhe të territorit pavarësisht njerëzve që do të vuajnë pasojat".

Bashkimi Evropian kërkon shmangien e incidenteve

Zyrtarët në Bruksel thanë sot se sapo të marrin statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, do ta shtrojnë atë në takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kuptojmë se puna (për projekt statutin) është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian vazhdon të punojë më të dyja palët për të siguruar implementim e kësaj marrëveshje dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në një komunikatë të zyrës së shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

"Në një kohë kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Federica Moghrini për gjetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, Bashkimi Evropian, pret që ashtu siç kanë rënë dakord palët në takimin e fundit më 18 Korrik në Bruksel, nuk do të ketë tensione të terren që do të rrezikonin synimin e përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve", thuhet në komunikatë.

Reagon dhe SHBA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie, u shpreh i kënaqur me "komunikatën e Bashkimit Evropian se statusi i asociacionit do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel. Mendoj se kjo duhet të na ndihmojë të jemi të qetë dhe të shijojmë një fundjave të këndshme", shkroi ai.

Presidenti serb – letër të hapur serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka caktuar për të shtunën në mëngjes mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar gjendjen në Kosovë. Të premten ai u drejtoi një letër të hapur qytetarëve serbë në Kosovë, në të cilën bën thirrje që të mos bien pre e, siç thuhet, provokimeve dhe të mos ndërmarrin asgjë, që sipas tij, do të mund të shfrytëzohej për çfarëdo aksioni ndaj tyre.

Në letër ai thekson se "për aq kohë sa do të jetë në të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe vendet e tyre shenjta e as përndjekjen e tyre.

Duke theksuar se nuk pret që Prishtina të lëvizë as gishtin për të formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe", ai u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos ndërmarrin asgjë, ngase sipas tij, "këtë do të mund ta shfrytëzonin disa shqiptarë ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre"."Pikërisht për këtë, këto ditë në krahinën tonë jugore, por një pjesë të vogël të komunitetit ndërkombëtarë, zëshëm dëgjohet dhe shihet veprimtaria e atyre që, në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Serbisë dhe serbëve, e shfrytëzojnë këtë periudhë që në mesin e serbëve të Kosovës me kërcënime të përditshme, me thashetheme, me dëshirën që të shkaktojnë panik, të nxisin shqetësime e frikë për të nxitur mosbesim ndaj institucioneve shtetërore të Serbisë dhe ndarjeve në mesin e përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë dhe dobësimit të përgjithshëm të pozitës sonë në këtë periudhë të ndejshme të bisedimeve", shkruan mes tjerash ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian. Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Por, është e paqartë se si do të duket ajo marrëveshje dhe palët kanë hedhur idetë për ndarjen tokësore të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, veriun e Kosovës – Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës.

Asnjëherë deri tash këto çështje nuk janë shtruar zyrtarisht në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtarë deri vonë ishte i prerë në qëndrimet se nuk mund të ketë ndryshim kufijsh për shkak të efektit "domino" në rajonin që kishte përjetuar luftëra të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

DASH: Kosova dhe Serbia të jenë krijuese në gjetjen e zgjidhje

Çfarë nënkupton DASH kur thotë që “Kosova dhe Serbia të jenë krijuese në gjetjen e zgjidhjes”?

Kërkesa e Departamentit të Shtetit pason idetë e hedhura së fundi për ndarjen tokësore të Kosovës e deri te shkëmbimi i territoreve, që nënkupton që veriu i Kosovës me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë në shkëmbim për Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë…

Deri tani këto nuk janë hedhur në kuadër të bisedimeve dhe janë kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të drojës për ndikimin që mund të kenë më gjerë në rajonin e Evropës Juglindore, që ende po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet të dyja palëve pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.

Por si mund të lexohet deklarata e DASH pas këtyre zhvillimeve. Është e qartë se të kërkosh nga palët në negociata që të jenë kreative në opsionet e tyre të zgjidhjes, do të thotë të sjellësh risi në ato bisedime.

Dhe këtë duket se po e bën shumë mirë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke lënë mënjanë edhe qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, është duke paralajmëruar mediatikisht bisedime me Serbinë për atë që ai e quan korrigjim kufijsh, e që shumë njerëz e shohin si shkëmbim territoresh.

Çfarë do të ndodhë tani? Mbetet të presim… /noa.al/