Transmetuar më 04-09-2018, 14:22

Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, duket se ka shtrenjtuar edhe më shumë tarifën për kalimin në Rrugën e Kombit.

Kjo taksë do të nisë të vilet që nga 17 shtatori, për çdo kalim të automjeteve.

Çmimi i mëparshëm i vendosur ishte 5 euro ose 625 lekë të reja, referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Por me një vendim të ri kjo shumë bëhet 660 lekë të reja në një drejtim, ose thënë ndryshe 35 lekë rritje për udhëtim në një drejtim.

Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill në masën 5 euro.

Pas vendosjes së këtij çmimi nuk dihet se kush do jetë reagimi i qytetarëve dhe aq më pak i banorëve të zonës, të cilët muaj më parë kur nisi vjelja e tarifës, u ngritën në protestë duke djegur pikën e kalimit me pagesë.

Protesta e tyre u pasua me një valë arrestimesh, prej 23 personash.

Ndaj tyre u ngritën akuza si “shkatërrim prone”, “kundërshtim i punonjësve të rendit” dhe “tubim i paligjshëm”.

Sakaq për banorët e Kukësit, tarifa që do të aplikohet pritet të jetë prej 100 lekësh të reja për kalim.