Transmetuar më 11-09-2018, 10:44

Kryeministri grek Alexis Tsipras, thotë se Greqia ka një qasje konstruktive me fqinjët.

Duke folur sot në Parlamentin Europian, ai iu referua çështjes së emrit me Maqedoninë dhe negociatave me Shqipërinë, lidhur me çështjet e vjetra mes dy vendeve.

“Greqia do të zhbllokojë integrimin europian të fqinjëve tanë, me marrëveshjen e Prespës dhe dialogun e vazhdueshëm me Shqipërinë”, u shpreh Tsipras.

Gjatë një konference për mediat dy ditë më parë, ai deklaroi se nuk ekziston çështja çame dhe as nuk do të diskutohet për ndryshim kufijsh me Shqipërinë.

Ai tha se negociatat me Shqipërinë që po zhvillohen në nivel ministrash të jashtëm të dy vendeve, janë çështje të vështira, por bisedimet janë në klimë pozitive.

Sipas tij, është e qartë se, në mënyrë që Greqia të mbështesë hapjen e kapitujve të negociatave të integrimit, duhet që të kryen një sërë reformash dhe premtimesh që ka bërë qeveria shqiptare dhe se shumë nga këto premtime janë prej viti 2009.

“E kam fjalën për zonat detare nga ana e tyre, e kam fjalën për librat shkollorë dhe ndryshimin e tyre, për varrezat e ushtarëve grekë, dhe sidomos të reformave për sa i përket të drejtave të minoritetit grek. Ndërsa dëgjohen shumë zëra, disa prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, si për shembull pastrimi dhe mirëmbajtja e piramidave në kufirin tokësor. Disa thanë se ka të bëjë me një përcaktim të rinj të kufijve, por ky proces nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë. Gjithashtu disa përpiqen të fusin nga ‘dritarja’ çështjen çame. Nuk ekziston kjo çështje”, u shpreh Tsipras. /a.y/noa.al

Tsipras: Nuk ka çështje çame dhe as diskutim për ndryshim kufijsh