Transmetuar më 25-09-2018, 12:51

“Arrest me burg” është masa e sigurisë e vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për tre anëtarët e fundit të grupit “Bajri”, të cilët dolën para togave të zeza ditën e sotme.

Ismet Idrizi, Denis Brajovic dhe Klaudio Haxholli do të qëndrojnë në qeli në vijim të hetimeve. Sakaq ditën e djeshme u vendos të lihen në qeli edhe të arrestuarit e tjerë.

Të pandehurit u arrestuan natën mes 21 dhe 22 shtatorit në kuadër të operacionit të koduar “Oaz”, ku u vunë në pranga 11 persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Gjatë operacionit u vunë në pranga Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë; Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë; Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër; Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë; Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër; Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër; Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Ndërsa në kërkim u shpallën dy anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, E.Bajri, 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, “Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. /a.y/noa.al